Shqipëria Postuar më 6 November 2026, 10:22

Transferimi i aseteve energjetike - Ndryshojnë kushtet/ Drafti i ERE ruan pragjet financiare, por shton garancitë për furnizimin

Nga Ola Mitre

Transferimi i aseteve energjetike - Ndryshojnë kushtet/ Drafti i ERE ruan

Kompanitë e energjisë elektrike do të duhet të plotësojnë kushte më specifike për të shitur, transferuar, dhënë me qira apo hipotekuar asetet. Një draft-rregullore e Entit Rregullator të Energjisë ruan pragjet financiare të parashikuara në rregulloren aktuale, por e lidh përjashtimin nga miratimi edhe me sigurinë e furnizimit dhe përmbushjen e detyrimeve të licencës.

Konkretisht, për transaksionet deri në 150 mln lekë, drafti kërkon që transferimi të mos cenojë aftësinë e kompanisë për të përmbushur kushtet e licencës dhe të mos krijojë rrezik për ndërprerjen e shërbimit apo uljen e sigurisë së furnizimit. Për hidrocentralet me fuqi të instaluar më të vogël se 5 MW, ruhet kërkesa për miratim kur vlera e aseteve që transferohen tejkalon 50 mln lekë.

Një parashikim i ri është ndalimi i ndarjes artificiale të transaksioneve për të shmangur këto pragje. ERE do të mund t’i vlerësojë si një transaksion të vetëm veprimet e lidhura nga palët, objekti, koha apo qëllimi ekonomik. Kompanitë do të duhet të ruajnë edhe dokumentacionin që provon se përmbushin kushtet e përjashtimit.

Ndërkohë, ndryshe nga rregullorja e vitit 2016, drafti nuk parashikon një përjashtim të posaçëm nga miratimi për të licencuarit me kapacitet të instaluar nën 1 MW. Paralelisht, fusha e zbatimit përfshin shprehimisht edhe operimin e impianteve të depozitimit të energjisë elektrike dhe të pikave të rikarikimit, 2 aktorë të rinj në tregun elektrik. 

Ndërkaq, kontrolli mbi ndikimin në tarifat e konsumatorëve ekzistonte edhe në rregulloren e vjetër, por drafti i ri e detajon këtë vlerësim, duke përfshirë kostot e rrjetit, mundësinë e kalimit të kostove te klientët, konkurrencën dhe realizimin e investimeve të miratuara.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat