Shqipëria Postuar më 6 November 2026, 10:21

Resortet, me rregulla të reja - Vendimi/ si ndryshon kategorizimi për strukturat turistike

Nga Diamila Leka

Resortet, me rregulla të reja - Vendimi/ si ndryshon kategorizimi për

Bujtina, hotele, apart-hotele, resorte dhe struktura të trashëgimisë kulturore. Këto janë disa prej kategorive të akomodimit turistik që do të përfshihen në klasifikimin e ri të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Vendimi përcakton 11 kategori të strukturave akomoduese, duke përfshirë bujtinat, fjetinat, kampingjet, hotelet, motelet, resortet, qendrat kurative, strukturat “fjetje dhe mëngjes”, apart-hotelet dhe strukturat akomoduese të trashëgimisë kulturore. Në listë përfshihet edhe resorti miks, si nënkategori e resortit për qëllime të certifikimit paraprak.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me apartamentet, vilat dhe dhomat që ofrohen për akomodim turistik. Në projektet e reja, këto njësi nuk do të kategorizohen më veçmas, por do të përfshihen në komponentin turistik të një resorti dhe do të jenë nën administrim të përbashkët. Ndërkohë, banesat jashtë një strukture të tillë nuk mund të ofrohen për akomodim turistik pa u përfshirë në një projekt që plotëson kriteret e kategorisë resort.

Resortet miks do të duhet të plotësojnë gjithashtu një raport të përcaktuar mes funksionit turistik dhe atij rezidencial. Komponenti turistik duhet të përbëjë të paktën 60% të sipërfaqes totale të ndërtimit, ndërsa pjesa rezidenciale nuk mund të kalojë 40%. Në përllogaritje përfshihen edhe ambientet dhe infrastruktura e përbashkët, sipas përdorimit të tyre.

Një tjetër kërkesë është pajisja me certifikatë paraprake kategorizimi përpara miratimit të lejes së ndërtimit. Dokumenti do të lëshohet nga ministria përgjegjëse për turizmin dhe do të konfirmojë përputhshmërinë e projektit me kategorinë e propozuar. Për strukturat që kanë marrë më herët certifikatë kategorizimi, vendimi parashikon ruajtjen e vlefshmërisë së dokumenteve ekzistuese.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat