Shqipëria Postuar më 6 November 2026, 10:29

35.15 mld lekë për rrugët në 2027 - Ministri Karakaçi: Financohen projektet madhore në vend

Nga Ledina Elezi

35.15 mld lekë për rrugët në 2027 - Ministri

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka prezantuar fondin prej 35.15 miliardë lekësh që buxheti i vitit 2027 parashikon për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në Shqipëri. Investimet do të përqendrohen te projektet strategjike, përfundimi i akseve në ndërtim dhe nisja e veprave të reja infrastrukturore.

“Dy prej projekteve kryesore, autostrada Tiranë–Durrës dhe aksi Tiranë–Ndroq–Plepa, do të financohen tërësisht nga buxheti i shtetit. Kjo skemë synon të mundësojë përshpejtimin e punimeve dhe përfundimin e tyre në një kohë sa më të shkurtër.

Një tjetër projekt i rëndësishëm, Bypassi i Elbasanit, do të kalojë gjithashtu në një skemë të re financimi përmes buxhetit të shtetit, duke krijuar kushte për vijimin dhe realizimin e tij.

Në fokus të investimeve për vitin 2027 do të jenë edhe Korridori VIII dhe Korridori Blu. Për këtë të fundit, ministri bëri me dije se projektet koncesionare Kashar–Rrogozhinë, Lekaj–Fier dhe Milot–Balldren janë pjesë e strategjisë së zhvillimit të rrjetit rrugor. Punimet në segmentin Kashar–Rrogozhinë pritet të nisin në fund të këtij viti, ndërsa për Lekaj–Fier dhe Milot–Balldren po punohet drejt nënshkrimit të kontratave dhe finalizimit të projekteve të zbatimit”, tha Karakaçi.

Ndër të tjera, ministri njoftoi edhe financimet për disa projekte të tjera të infrastrukturës rrugore për vitin e ardhshëm.

“Buxheti i ri parashikon financim edhe për disa projekte të tjera, mes të cilave hyrja veriore e Tiranës, e cila do të mundësojë shmangien e Kamzës, rruga Berat–Skrapar, si dhe hyrja verilindore e kryeqytetit, që do të krijojë lidhjen mes Tiranës dhe Rrugës së Arbrit.

Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar po përgatit edhe projekte të reja infrastrukturore, për të cilat do të shqyrtohen mundësitë e financimit. Bëhet fjalë për aksin Koplik–Bogë–Theth, Rrugën e Vjosës dhe lidhjen Rrëshen–Mirditë”, tha ministri.

Ministri Karakaçi theksoi se objektivi i qeverisë është ndërtimi i një infrastrukture rrugore moderne, më të sigurt dhe të qëndrueshme, që përmirëson lidhjen mes qyteteve dhe rajoneve të vendit, si dhe forcon integrimin e Shqipërisë në rrjetet evropiane të transportit. Fondi prej 35.15 miliardë lekësh për vitin 2027 synon kështu të mbështesë jo vetëm investimet infrastrukturore të vitit të ardhshëm, por edhe strategjinë afatgjatë për zhvillimin dhe modernizimin e rrjetit rrugor shqiptar.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat