Shqipëria Postuar më 9 Janar 2023, 15:13

Dhjetori konfirmon zbutjen e inflacionit/ Zbret në 7.4%. Për herë të parë gjatë krizës, sinjale pozitive nga ushqimet, por jo për mishin dhe bulmetin

Nga SCAN TV
Dhjetori konfirmon zbutjen e inflacionit/ Zbret në 7.4%. Për herë

Gjatë muajit të fundit të vitit të kaluar, inflacioni ka vijuar tendencat rënëse, duke zbritur pranë 7.4%, sinjalizojnë shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave. Kujtojmë se trajektorja rënëse e inflacionit ka nisur që prej nëntorit të vitit të kaluar, kur zbriti pranë 7.9%, pas një serie të gjatë muajsh në rritje, dhe me kulmin e prekur gjatë tetorit, prej 8.3%. Gjatë dhjetorit të vitit 2021 ndërkohë, inflacioni regjistrohej në 3.7%, çka sinjalizon se fundviti ka qenë ndjeshëm më i shtrenjtë për familjet shqiptare, pavarësisht tendencave zbutëse të rritjes së çmimeve. Krahasuar me nëntorin ndërkohë, në dhjetor, çmimet rezultojnë të jenë rritur me 0.4%, por që është një tendencë sezonale e fundvitit. Përgjatë të gjithë vitit 2022, norma e inflacionit fiksohet pranë 6.7%, nga 2% që ishte gjatë vitit pararendës.

Kontributin kryesor në rritjen e çmimeve përgjatë dhjetorit e kanë dhënë “ushqimet dhe pijet joalkoolike”, me 4.98 pikë përqindje, ndjekur nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, me 0.54 pikë përqindje. Edhe nëngrupet si pajisje shtëpie, transporti, pijet alkoolike dhe duhani, kafene dhe restorante, veshjet, arsimi, shëndeti, komunikimi dhe argëtimi kanë dhënë kontribut pozitiv në normën e inflacionit gjatë muajit të fundit të vitit të kaluar, ndërkohë që asnjë grup nuk ka dhënë ndikim negativ.

Nga analiza e detajuar e shifrave ndërkohë, rezulton se dhjetori është muaji i parë dhe i vetëm i vitit 2022 që ka sjellë një ngadalësim të rritjes së çmimit të ushqimeve. Gjatë dhjetorit, çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike ishin 14.8% më të shtrenjta e dhjetori i vitit 2021, nga 15.3% që ishte rritja në nëntor. Hera e fundit kur inflacioni i ushqimeve dhe pijeve joalkoolike regjistrohej në trajektore rënëse ishte nëntori i vitit 2021. Pavarësisht kësaj, dy produkte ushqimore kanë regjistriar inflacion në rritje gjatë dhjetorit, si mishi dhe produktet e bulmetit. Çmimi i produkteve të mishit rezulton mesatarisht, 13.2% më i lartë në dhjetor 2022 se dhjetori i vitit 2021. Çmimet mesatare të qumështit, djathit dhe vezëve ndërkohë rezultojnë 25.4% më të shtrenjta gjatë së njëjtës periudhë kohore. Për të dyja këto kategori produktesh bëhet fjalë për normën më të lartë vjetore të inflacionit. Të gjitha nëngrupet e ushqimeve ndërkohë regjistrojnë rritje të çmimeve gjatë dhjetorit, paçka se me një hap më të ngadaltë se muajt pararendës. Kujtojmë se për herë të parë gjatë vitit 2022 tendencat e zbutjes së inflacionit u vunë re që në nëntor, por jo për ushqimet. Dhjetori duket se ka përfshirë edhe ushqimet.

Sa i përket nëngrupeve të tjera, transporti, qiraja, energjia, lëndët djegëse, hoteleria dhe baret e restorantet janë regjistriar në një zbutje të inflacionit, ndërkohë që e kundërta ka ndodhur me komunikimin, edukimin dhe pajisjet shtëpiake.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat