Shqipëria Postuar më 29 Dhjetor 2022, 17:38

Kreditimi bie edhe në Nëntor/ Me 23.3%. Vijojnë tendencat rënëse, efekt i rritjes së normave të interesit nga BSH

Nga SCAN TV
Kreditimi bie edhe në Nëntor/ Me 23.3%. Vijojnë tendencat

Sipas shifrave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, vihet re një rënie e huave të reja të disbursuara gjatë nëntorit drejt individëve dhe korporatave jofinanciare private. Kështu, gjatë muajit nëntor flukset hyrëse të parasë në nivel huash të reja fiksohen në 20.19 miliardë lekë.

Për më tepër, huatë e reja gjithsej për muajin nëntor 2022 janë shpërndarë midis biznesit, që ka marrë 13,09 miliardë lekë, dhe 6,4 miliardë lekë ndërkohë janë marrë nga individët dhe 650 milonë të tjetra nga korporatat jofinanciare publike. Sa i përket huave të reja gjithsej shohim një rënie prej 23.26% krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë, nëntorin e vitit 2021.

Huatë e reja në lekë për individët mbizotërojnë ndaj asaj në valutë. Nga huatë e reja për financimin e individëve, 4 miliardë lekë ka qenë kredi e re në monedhën vendase, 2.4 miliardë lekë në euro dhe vetëm 1.5 milionë lekë në dollarë. Përsa i takon financimit të bizneseve, huatë e e reja në monedhën vendase kanë qenë në vlerën 4.2 miliardë lekë, 8.3 miliardë lekë në euro dhe 567 milionë lekë në dollarë. Shohim në këtë mënyrë që korporatat private ose bizneset, ndyshe nga individët, kanë preferuar kreditë në euro, ndaj atyre në monedhën vendase.

Nëse ndalemi të shohim vlerën e huave të dhëna nga bankat për blerje banesash, vëmë re që muaji nëntor ka regjistruar gjithashtu një rënie. Kështu, sipas shifrave zyrtare të publikuara nga Banka e Shqipërisë, nga 6.4 miliardë lekë të huave të reja për individë, 3 miliardë rezultojnë për blerje banese përgjatë muajit nëntor 2022, në të gjitha valutat. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kjo vlerë ishte 3.4 miliardë lekë, duke pësuar një rënie prej 12.2%.

Në vijim të vëzhgimit dhe interpretimit të të dhënave, mund të themi që rritja e normave të interesit dhe kriza e çmimeve duket se kanë nxitur një tkurrje domethënëse të kreditimit për muajt e fundit.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat