Shqipëria Postuar më 26 Tetor 2023, 11:18

Detyrime për bizneset që gjenerojnë mbetje - Pr.ligji/ Do financojnë grumbullimin dhe riciklimin. Gjoba “të kripura” nëse s’përmbushen

Nga SCAN TV

Çdo biznes që hedh në treg produkte, konsumimi i të cilave krijon mbetje, do të ketë detyrime shtesë për t’i menaxhuar. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka nxjerrë për konsultim një projektligj që ka si qëllim ngritjen e skemës së Përgjegjësive të Zgjeruara të Prodhuesit.

Aplikimi i kësaj skeme është detyrim që duhet përmbushur nga vendi ynë për t’u anëtarësuar në Bashkmin Evropian, teksa zbatimi i saj ndikon në nxitjen e ndarjes së diferencuar të mbetjeve në burim dhe riciklimin e tyre, duke ndikuar në uljen e sasisë së mbetjeve që depozitohen në pikën fundore të menaxhimit të mbetjeve. Ky ligji do të zbatohet për rryma specifike të mbetjeve, që janë: ambalazhet dhe mbetjet e tyre; bateritë dhe akumulatorët; automjetet në fund të jetës dhe mbetjet e pajisjeve elektrike dhe elektronike

Disa detyrime kryesore të prodhuesit lidhen me financimin dhe krijimin e një sistemi për grumbullimin, transportimin, riciklimin ose një mënyrë tjetër të trajtimit të mbetjeve të krijuara nga produktet e tyre që ata vendosin në treg në Shqipëri, si dhe të përmbushin disa synime të rëndësishme për mbledhjen, riciklimin dhe trajtimin e tyre.

Po ashtu, detyrim do të jenë edhe investimet në infrastrukturën e grumbullimit apo zhvillimi i aktiviteteve të përshtatshme informacioni, ndërgjegjësimi, udhëzimi ose trajnimi për të informuar qytetarët në ushtrimin e të drejtave të tyre si konsumatorë.

Të gjitha kostot që rrjedhin nga përmbushja e këtyre detyrimeve ligjore do të mbulohen nga prodhuesit. Paralelisht, prodhuesi që është subjekt i kësaj skeme e që vendos në treg produkte për herë të parë do të duhet të paguajë taksën e produktit, e cila përllogaritet në varësi të produkteve që hedh në tregun vendas.

Ndërkaq, dokumenti i nxjerrë për konsultim përmban edhe masat administrative, në rast të mos përmbushjes së detyrimeve nga ana e subjekteve. Gjobat e propozuara variojnë nga nga 200 000 në në 2 000 000. Detyrimet ligjore që rrjedhin nga ky ligj do të hyjnë në fuqi në datën 1 janar 2025.

Ola Mitre / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat