Shqipëria Postuar më 26 Tetor 2023, 11:08

Cilat janë problemet e investitorëve të huaj në Shqipëri? - Anketa e FIAA/ Ndryshimi i praktikave tatimore dhe tregu i punës

Nga SCAN TV

Zhvlerësimin i Euros dhe norma e lartë aktuale të inflacionit konsiderohen nga Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) si dy çështjet më të rënda me ndikim në biznesin e tyre. FIAA ka prezantuar gjetjet e Anketës për Mjedisin e Biznesit në Shqipëri 2023, e cili u zhvillua gjatë periudhës gusht – shtator 2023, ku duket se perceptimet e përgjithshme për klimën e biznesit  shfaqin ndryshime pozitive krahasuar me vlerësimin gjatë vitit 2022.

Ndër problematikat që hasin bizneset e huaja dhe që renditet nën vijën mesatare të performancës, është “Frekuenca e ndryshimeve të legjislacionit dhe praktikës tatimore dhe ndikimi i saj në biznes”, me 40 pikë nga 100 pikë, por me një përmirësim të lehtë nga viti 2022. (36 pikë).

 

Po ashtu, situata në lidhje me tregun e punës në Shqipëri konsiderohet shqetësuese,  duke vlerësuar aksesin e tyre në fuqinë punëtore të kualifikuar vendase dhe ndikimin e saj në biznesin e tyre me 31 pikë nga 100 në shkallën e performancës, me një rënie prej 7 pikësh krahasuar me vitin 2022 (38 pikë). Në mënyrë të ngjashme, nivelet e kualifikimit të punonjësve më të rinj kanë rënë gjithashtu, duke shënuar 41 pikë nga 100.

Në tërësi,  investitorët e huaj vlerësojnë situatën aktuale të të bërit biznes në Shqipëri, me 46 nga 100 pikë, me një rritje prej 6 pikësh krahasuar me vitin 2022 (40 pikë), duke mos arritur megjithatë të arrijnë vijën e mesme në shkallën e favorizimit. Megjithatë, ka optimizëm kur shikohen pritshmëritë e tyre për të bërë biznes në vend.

Kur shikohen faktorët e brendshëm, vërehet një përmirësim i përgjithshëm në krahasim me anketën e vitit 2022. "Niveli i rendit dhe sigurisë i nevojshëm për biznesin e tyre" është dimensioni me performancë më të mirë me 63 pikë nga 100 pikë. Ndikimi i “klimës politike shqiptare” në operacionet e biznesit të investitorëve të huaj në vend është përmirësuar gjithashtu me 14 pikë, duke shënuar 56 nga 100.

Edhe dimensionet më problematike si “Niveli i transparencës në procedurat qeveritare”, “niveli i burokracisë me të cilin përballet biznesi”, niveli i “Zbatimit të ligjeve dhe rregulloreve në biznes” si dhe “Sistemi gjyqësor shqiptar dhe ndikimi i tij në biznesi” dhe rritet me të paktën 5 e deri në 10 pikë, krahasuar me vrojtimin e 2022-shit, por megjithatë mbeten ende nën vijën mesatare të performancës.

Të anketuarit kryesorë të këtij sondazhi ishin bizneset e huaja të rëndësishme në Shqipëri në sektorët e teknologjive të informacionit dhe komunikimit, industrive të rënda dhe minierave, energjisë dhe mjedisit, shërbimeve financiare, tregtisë, logjistikës, turizmit, shërbimeve konsulente etj.

Elisabeta Dosku/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat