Bota Postuar më 19 Tetor 2023, 12:14

Coinbase zgjedh Irlandën si qendrën kryesore - BE ka gati rregulloren “MiCA” për tregun e kriptomonedhave

Nga SCAN TV
Coinbase zgjedh Irlandën si qendrën kryesore - BE ka gati rregulloren

Platforma e këmbimit të kriptomonedhave, Coinbase ka zgjedhur Irlandën si qendrën e saj kryesore operative dhe rregullatore në Bashkimin Europian, tha kompania në një intervistë ekskluzive për CNBC. Coinbase paraqiti kërkesën e saj pranë Bankës Qendrore të Irlandës për një licencë sipas rregullores së re të BE-së për Tregjet e Aseteve Kripto (MiCA), e cila do të hyjë në fuqi deri në dhjetor 2024. Coinbase ka një zyrë në Dublin që nga viti 2018 dhe punëson rreth 100 njerëz në Irlandë. Nëse kërkesa do të miratohet, Coinbase do të ketë një “licencë universale MiCA” në Irlandë, të cilën më pas mund ta përdorë për të eksportuar shërbimet e saj në Gjermani, Francë, Itali, Holandë dhe vende të tjera të BE-së.

Kjo e bën më të lehtë për Coinbase që të lançojë produkte të reja në tregjet e Bashkimit Europian, pa pasur nevojë të aplikojë për licenca individuale në secilin vend. Coinbase thotë se ka besim se do të jetë në gjendje të fitojë këtë licencë. Kompania po planifikon të jetë operacionale me licencën e saj MiCA që nga dita e parë, tha Nana Murugesan, zëvëndëspresident i Coinbase, në një intervistë për CNBC. Por, çfarë është licenca e quajtur MiCA?

MiCA është përpjekja e BE-së për të prezantuar një kuadër rregullator pan-evropian për kompanitë e kriptomonedhave. Plani synon të ofrojë mbrojtje për investitorët që blejnë dhe shesin asete në kripto, si bitcoin dhe ethereum.

Rregullat e reja do t'i lejojnë kompanitë e kriptove të përdorin një licencë në një vend për të operuar në të 27 shtetet anëtare të BE-së. Rregullorja imponon një sërë kërkesash për firmat e kriptove, veçanërisht shkëmbimet, duke përfshirë kërkesën që ato të mos përziejnë fondet e klientit me asetet e tyre.

“Sapo MiCA marrë fuqi ligjore, dhe madje edhe përpara kësaj, ne kemi marrë në konsideratë një numër shtetesh anëtare. Ishte një proces i gjatë vendimmarrjeje dhe ne kemi qenë shumë të impresionuar me angazhimin e Irlandës gjatë gjithë kohës,” tha Murugesan.

Aktualisht, Coinbase ka një licencë të parave elektronike dhe një regjistrim të ofruesit të shërbimit të aseteve virtuale në Irlandë; një licencë kripto në Gjermani; dhe regjistrimet kombëtare në shtetet e tjera anëtare të BE-së, duke përfshirë Italinë, Holandën dhe Spanjën.

Kompania, e cila ka selinë në San Francisko, është një ndër platformat më të mëdha të tregtimit të kriptove në botë. Por, vendimi për tu zgjeruar vjen në një kohë të vështirë për industrinë e kriptomonedhave. Kompanitë janë përballur me një rënie të vëllimeve, ndërsa mbledhja e fondeve është ngadalësuar, pasi kushtet makroekonomike janë bërë më të ashpra dhe shqyrtimi rregullator është rritur.

Coinbase po mbështetet te rritja në Bashkimin Evropian, një kontinent me një popullsi prej 450 milionë banorësh, pasi përballet me presionin rregullator në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe akuzohet se po operon në një treg të paligjshëm. Por, Coinbase e ka kundërshtuar pretendimin e Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Këmbimeve dhe po e ndjek çështjen në gjykatë. Megjithatë, qëllimi i Coinbase është që të ketë legjislacion formal të kriptomonedhave, dhe jo procese gjyqësore të vazhdueshme në gjykata.

Përdorimi i aseteve dixhitale është më pak i përhapur në Europë, krahasuar me Shtetet e Bashkuara. Sipas të dhënave të Chainalysis, Europa Qendrore, Veriore dhe Perëndimore janë tregu i dytë më i madh në botë i kriptomonedhave, pas Amerikës Veriore. Por, Coinbase parashikon një rritje të madhe në rajon. Në tremujorët e fundit, të ardhurat e Coinbase janë rritur me më shumë se 20% në Europë.

Coinbase ka vendosur gjithashtu ta bëjë Gjermaninë “qendrën e talenteve” dhe do të kërkojë të rrisë punësimin në këtë treg për të lokalizuar dhe përshtatur produktin e saj posaçërisht për Gjermaninë. Coinbase madje mund të kërkojë fillimisht të lançojë produkte të reja në Evropë përpara se t'i nxjerrë ato në SHBA, tha Murugesan.

Bashkimi Europian pritet të kthehet në një laborator për Coinbase, për të testuar shërbimet që njerëzit kanë nevojë në jetën e tyre të përditshme, si pagesat dhe transaksionet, në vend të tregtisë.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Shqipëria 28 Prill Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka nisur javën në vlera të qëndrueshme në raport me luhatjet e vazhdueshme që pësoi javën që lamë pas duke u blerë sot me 86.5 lekë dhe......

Të gjitha lajmet

Më të vizituarat

Shqipëria 28 Prill Edel Strazimiri

Si ka nisur kjo javë për valutat kryesore?

Dollari amerikan e ka nisur javën në vlera të qëndrueshme në raport me luhatjet e vazhdueshme që pësoi javën që lamë pas duke u blerë sot me 86.5 lekë dhe......