Europa Postuar më 16 October 2026, 12:21

Cigaret me çmim rekord - Deri në vitin 2030, qeveria gjermane pret miliarda euro shtesë nga taksat

Nga Edel Strazimiri

Cigaret me çmim rekord - Deri në vitin 2030, qeveria gjermane pret

Një paketë me 20 cigare në Gjermani mund të kushtojë më shumë se 11 euro deri në vitin 2030, pas miratimit nga Bundestagu të rritjes graduale të taksave për duhanin.

Aktualisht, një paketë kushton mesatarisht 8.05 euro, por çmimi pritet të rritet në 8.77 euro në vitin 2027, 9.56 euro në 2028, 10.42 euro në 2029 dhe 11.36 euro në vitin 2030. Për markat premium, çmimi mund të arrijë deri në 14 euro. Rritja do të prekë edhe duhanin për dredhje dhe lëngjet e cigareve elektronike.

Qeveria gjermane synon të sigurojë rreth 12 miliardë euro të ardhura shtesë nga taksat gjatë katër viteve të ardhshme. Vetëm në vitin 2030, të ardhurat shtesë parashikohet të arrijnë në 4.5 miliardë euro.

Megjithatë, industria e duhanit paralajmëron se taksat më të larta mund t’i shtyjnë konsumatorët drejt tregut të zi ose blerjes së cigareve më të lira nga vende të tjera të Bashkimit Europian. Kjo mund të dëmtojë tregtarët e ligjshëm dhe të ulë të ardhurat që qeveria pret të mbledhë.

Nga ana tjetër, mbështetësit e reformës argumentojnë se çmimet më të larta mund ta bëjnë nikotinën më pak tërheqëse dhe të nxisin lënien e duhanit.

 Sipas të dhënave të vitit 2025, rreth 19% e personave mbi 15 vjeç në Gjermani pinë duhan, ndërsa Qendra Gjermane për Kërkimin e Kancerit vlerëson se rreth 131 mijë persona humbën jetën nga sëmundjet e lidhura me duhanin në vitin 2023.

Reforma pritet të shqyrtohet nga Bundesrati, dhoma e përfaqësimit të landeve gjermane. Nëse miratohet, rritja graduale e çmimeve do të nisë nga viti 2027.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat