Europa Postuar më 26 Prill 2023, 10:14

Britania kërkon heqjen e “Taksës turistike” - Skema do të sillte 4.1 miliardë paund për ekonominë e vendit

Nga SCAN TV
Britania kërkon heqjen e “Taksës turistike” - Skema do

Një koalicion i drejtuesve të biznesit në Britaninë e Madhe, bën apel për rikthimin e blerjeve pa taksa për turistët e huaj në vend. Në një letër drejtuar qeverisë së vendit, shumë përfaqësues të shitjes me pakicë dhe sektorit të hoteleri – turizmit paralajmërojnë se heqja e rimbursimit të TVSH-së për vizitorët ka qenë një 'autogol i jashtëzakonshëm'.

Rivendosja e tij do të ishte një fitore si për biznesin ashtu edhe për taksapaguesit, thonë ata, me hulumtimet që sugjerojnë se mund të sjellë një nxitje prej shumë miliarda paund në ekonominë vendase. Mediat në vend madje kanë nisur një fushatë në mbështetje të firmave që kërkojnë që qeveria të rivlerësojë situatën.

Ata mendojnë se kostoja e rimbursimit të TVSH-së 20 % tejkalohet nga përfitimet e mëdha dhe inkurajimit për tërheqjen e sa më shumë vizitorëve në Britani. Këta turistë shtesë do të shpenzojnë në të gjithë ekonominë e vendit – në hotele, restorante, vende argëtim dhe transport – duke gjeneruar të ardhura nga taksat dhe duke krijuar vende pune. Blerjet pa taksa do të sillnin një rritje të nevojshme prej 4.1 miliardë paund të PBB-së dhe do të mbështesin 78 mijë vende pune, sipas hulumtimit nga Oxford Economics. Dhe pavarësisht se Thesari pretendon se do t'i kushtonte 2 miliardë paund taksa të humbura, ekspertët kanë vlerësuar se në fakt do të kishte një fitim neto për Thesarin prej të paktën 350 milionë paund në vit.

68 nënshkruesit e letrës drejtuar sekretarit të Thesarit, Jeremy Hunt, përfshijnë kryetarin e British Airëays dhe shefat ekzekutivë të Mulberry, Royal Opera House dhe Fortnum & Mason, si dhe drejtorin e biznesit të Bicester Village. Letra e quan vendimin në vitin 2021 për të hequr skemën e kahershme që lejonte turistët ndërkombëtarë të bënin blerje pa taksa si 'të çuditshme' dhe 'të pakohë'. Liz Truss kërkoi të rifuste zbritjen e TVSH-së gjatë mandatit të saj të shkurtër, por Hunt e ndryshoi vendimin vjeshtën e kaluar.

Thesari pretendon se kjo lëvizje po i kursen taksapaguesve 2 miliardë paund në vit, por kjo është e gabuar dhe mashtruese. Vizitorët e huaj që kanë ardhur tradicionalisht nga SHBA, Lindja e Mesme, Kina dhe gjetkë për të blerë më të mirën e britanikëve, injektojnë shuma të mëdha në ekonominë më të gjerë, përveç asaj që shpenzojnë për blerjet me pakicë.'

Blerja pa taksa për turistët u lejon pushuesve të marrin një rimbursim të TVSH-së. Blerësit që blejnë sende të shtrenjta – të tilla si rroba dhe aksesorë të stilistëve, ose pajisje – mund të bëjnë kursime të mëdha tatimore përmes skemës. TVSH-ja ngarkohet me 20 % në MB, kështu që nëse do të rifutej blerjet pa taksa, pushuesit mund të kursenin një të pestën për mallrat e blera. Shumë vende ofrojnë blerje pa taksa për të tërhequr turistët. Britania është tani në 64 % të niveleve të 2019 të shpenzimeve konsumatore, ndërsa Franca është rikuperuar në 108 për qind, sipas të dhënave nga ekspertët e rimbursimit të taksave Global Blue.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat