Shqipëria Postuar më 26 Prill 2023, 10:06

BB, parashikime pesimiste për Shqipërinë - Rritja ekonomike do të tkurret. Kontribues kryesor, sektori i ndërtimit

Nga SCAN TV
BB, parashikime pesimiste për Shqipërinë - Rritja ekonomike do

Përsa i përket perspektivës dhe rreziqeve për Shqipërinë, Banka Botërore thekson se rritja ekonomike për vitin 2023 pritet të mbetet e ulët, ndërsa eksportet, konsumi dhe investimet reale pritet të rriten me ritme më të ngadalta se ato në periudhën para pandemisë. Nga ana e ofertës, sektori i shërbimeve pritet të vijojë të jetë kontribuesi kryesor i rritjes ekonomike, i shoqëruar nga sektori i ndërtimit. Inflacioni parashikohet që të fillojë të ulet gradualisht në vitin 2023 dhe të kthehet në objektivin 3% të Bankës së Shqipërisë në mesin e vitit 2024. Megjithatë, tensionet e zgjatura gjeopolitike mund të rrisin më tej inflacionin, të krijojnë probleme në zinxhirët e furnizimit dhe shqetësime në tregjet financiare.

Institucioni financiar ndërkombëtar, parashikon se në përgjigje të rritjes së presioneve të brendshme inflacioniste dhe rritjes së pritjeve inflacioniste, në kuadër të normalizimit të politikës monetare në vendet e zhvilluara, banka qendrore pritet të shtrëngojë më tej politikën e saj monetare. Të gjitha këto mund të zbehin akoma më shumë perspektivat e rritjes ekonomike të vendit.

Përsa I përket konsolidimit fiscal, ai pritet të bazohet kryesisht në anën e shpenzimeve. Qeveria parashikon që të vijojë të kufizojë rritjen e pagave në sektorin publik, shpenzimet për mallra dhe shërbime. Kjo do të mundësohet edhe nga vijimi i reformave në sektorë kyç, si energjia dhe ndërmarjet publike të furnizimit me ujë. Në aspektin e të ardhurave, qeveria planifikon të prezantojë një sërë masash të politikës tatimore për të rritur të ardhurat, siç parashikohet në draftin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, përfshirë një regjim të ri tatimi mbi të ardhurat personale për profesionistët e vetëpunësuar dhe një taksë të vetme solidariteti për fitimet shtesë të prodhuesve të pavarur të energjisë elektrike.

Pajtueshmëria tatimore parashikohet të përmirësohet gradualisht, nëpërmjet zvogëlimit të hendekut të pajtueshmërisë me TVSHnë, ekonomisë cash, punës së padeklaruar, nën-deklarimit, rregullimeve artificiale për shmangien e taksave dhe përmes përmirësimit të administratës doganore duke zgjeruar marrëveshjet e shkëmbimit të informacionit.

Për sa i përket llogarisë së jashtme, eksportet e shërbimeve, përfshirë turizmin dhe operacionet e proceseve të biznesit në zgjerim të shpejtë, pritet të mbeten të forta.

Deficiti tregtar parashikohet të rritet në 12.8% në vitin 2023 krahasuar me 10.4% në vitin 2022 dhe të qëndrojë në këto nivele në periudhë afat mesme. Flukset hyrëse të Investimeve të Huaja Direkte (IHD), përfshirë në turizëm, energji dhe industrinë përpunuese, parashikohet të financojnë pjesën më të madhe të deficitit të llogarisë korente gjatë periudhës së parashikuar.

Banka Botërore nënvizon se krijimi i mundësive për rritje të mëtejshme ekonomike kushtëzohet nga zbatimi i shpejtë i programit të reformave të qeverisë. Reformat, të lidhura me perspektivën e anëtarësimit në BE, pritet të nxisin rritjen e produktivitetit, edhe nëpërmjet përmirësimit të mjedisit të biznesit, thjeshtimit të proceseve të ndërveprimit të qeverisë me sektorin privat dhe zgjerimit të integrimit të Shqipërisë në tregjet e huaja.

Dorian Koça/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat