Europa Postuar më 15 October 2026, 11:05

BE në përplasje me Kinën - Importet rekord, energjia e shtrenjtë dhe buxheti vënë në provë unitetin evropian

Nga Edel Strazimiri

BE në përplasje me Kinën - Importet rekord, energjia e

Liderët e 27 vendeve të Bashkimit Evropian janë mbledhur këtë të enjte në Bruksel për të diskutuar rritjen e importeve nga Kina, çmimet e larta të energjisë dhe mosmarrëveshjet për buxhetin e ardhshëm të bllokut.

Një nga shqetësimet kryesore lidhet me deficitin tregtar të BE-së me Kinën, i cili arriti në 360 miliardë euro në vitin 2025 dhe pritet ta tejkalojë këtë nivel gjatë vitit 2026. Përfaqësuesit e industrisë evropiane paralajmërojnë se fluksi i mallrave kineze po ushtron presion mbi prodhuesit vendas, duke kontribuar në mbylljen e fabrikave dhe humbjen e vendeve të punës.

Pas marrëveshjes së fundit me Pekinin për kufizimin e importeve të automjeteve hibride kineze, Brukseli synon të zgjerojë masat mbrojtëse edhe në sektorë të tjerë, përfshirë industrinë kimike, çelikun dhe makineritë. Franca dhe Gjermania kanë propozuar masa më të shpejta për t'iu përgjigjur importeve që konsiderohen kërcënim për industrinë evropiane. Pekini, nga ana tjetër, i ka kundërshtuar këto qëndrime, duke i cilësuar si përpjekje për të nxitur proteksionizmin.

Një tjetër temë kryesore e samitit janë çmimet e larta të energjisë. Disa vende anëtare kërkojnë masa të menjëhershme për të lehtësuar barrën mbi bizneset dhe konsumatorët. Mes propozimeve është edhe shtyrja me një vit e zbatimit të rregullave për emetimet e metanit nga importet e naftës dhe gazit.

Vendet evropiane janë gjithashtu të ndara për të ardhmen e Sistemit të Tregtimit të Emetimeve, i cili detyron industrinë dhe centralet të paguajnë për ndotjen me dioksid karboni. Disa qeveri kërkojnë lehtësimin ose pezullimin e tij, ndërsa Finlanda, Suedia dhe Danimarka paralajmërojnë se dobësimi i sistemit mund të frenojë investimet në industrinë e pastër.

Në tryezë është edhe buxheti i BE-së për periudhën 2028–2034. Për shkak të mospajtimeve mes vendeve anëtare, pritet të nevojitet një samit i posaçëm në fund të nëntorit për të afruar qëndrimet.

Të premten, liderët do të diskutojnë gjithashtu mbështetjen financiare dhe ushtarake për Ukrainën, ku pritet të marrë pjesë edhe presidenti Volodymyr Zelensky.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat