Analiza Postuar më 15 October 2026, 11:19

Varfëria zbutet, problemet mbeten INSTAT: Gati 4 në 10 shqiptarë rrezikojnë varfërinë dhe përjashtimin social

Nga Xhorxhina Deda

Varfëria zbutet, problemet mbeten INSTAT: Gati 4 në 10 shqiptarë

Pavarësisht rritjes së të ardhurave, varfëria mbetet një nga sfidat kryesore të shoqërisë shqiptare. Të dhënat e publikuara nga Instituti i Statistikave në Anketën e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës tregojnë se gjatë vitit 2025, rreth 39.4% e popullsisë ishte në rrezik varfërie ose përjashtimi social, nga 40.5% në vitin 2024. Megjithëse treguesi është përmirësuar me 1.1 pikë përqindjeje, pothuajse katër në dhjetë shqiptarë vijojnë të përballen me vështirësi ekonomike dhe sociale.

Sipas INSTAT, rreziku për të qenë i varfër, i matur mbi bazën e të ardhurave, zbriti në 19% gjatë vitit 2025, nga 19.2% një vit më parë. Kjo do të thotë se afërsisht një në pesë shqiptarë jeton me të ardhura nën kufirin e varfërisë relative. Ky kufi arriti në 349,565 lekë në vit, ose rreth 29,130 lekë në muaj për një individ, nga rreth 324 mijë lëkë në vitin 2024

Privimi i thelluar material dhe social, që mat pamundësinë për të përballuar të paktën shtatë nga trembëdhjetë nevojat e përcaktuara statistikisht, zbriti në 31.2%, nga 32.8% një vit më parë. Këto nevoja përfshijnë ngrohjen e banesës, shpenzimet e papritura, ushqimin e përshtatshëm dhe pushimet vjetore. Ndërkohë, 8.3% e individëve të moshës 18-64 vjeç jetonin në familje me intensitet shumë të ulët punësimi.

Rreziku për varfëri mbetet dukshëm më i lartë në familjet me fëmijë në varësi, ku treguesi arriti në 24.5%, kundrejt 11% në familjet pa fëmijë. Sipas grupmoshave, fëmijët deri në 17 vjeç regjistruan një rrezik varfërie prej 26.2%, ndërsa për personat mbi 65 vjeç treguesi u rrit lehtë në 14%.

Të ardhurat mesatare mujore të disponueshme, të ekuivalentuara për frymë, u rritën me 10.5%, duke arritur në 56,487 lekë. Edhe raporti i të ardhurave ndërmjet 20% të popullsisë me të ardhurat më të larta dhe 20% me të ardhurat më të ulëta u rrit nga 4.79 në 4.83 herë. Treguesit dëshmojnë se rritja e të ardhurave nuk është shoqëruar me një shpërndarje më të barabartë të mirëqenies,ndërkohë diferencat ekonomike mes shtresave të popullsisë janë zgjeruar.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat