Bota Postuar më 17 Maj 2023, 11:09

BE “mbyll dyert” për fondet kineze - Rënie e mprehtë e investimeve të Kinës në Europë

Nga SCAN TV
BE “mbyll dyert” për fondet kineze - Rënie e mprehtë

Ndryshimi i qëndrimit të Europës ndaj marrëdhënieve ekonomike me Kinën u zyrtarizua nga kancelari gjerman, Olaf Scholz, kur ftoi BE-në për të reduktuar varësinë e saj nga Kina, pasi elementi i konkurrencës dhe rivalitetit është forcuar “nga pala kineze” në marrëdhëniet mes dy palëve. Deklarata e tij përkoi me premtimin e Italisë për t'u tërhequr nga Rruga e re e Mëndafshit të cilës iu bashkua në vitin 2019, duke shkaktuar bujë si i vetmi vend i G7 që i bashkohet një projekti me ndikim kinez. Në fund të fundit, asaj i ka paraprirë një deklaratë e mëparshme nga presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, se nuk po ndodh një shkëputje e ekonomive europiane nga Kina, por një "proces inteligjent i heqjes së rrezikut" në marrëdhëniet me Kinën.

Të gjitha këto qëndrime pasqyrojnë arritjet e një përpjekjeje të shumë vendeve europiane, duke filluar nga vetë Gjermania, por edhe Italia, Britania, Danimarka dhe Holanda, për të ndaluar përparimin kinez duke ndaluar marrjen e kompanive europiane nga ato kineze.

Rezultati është reflektuar në uljen e shpejtë të investimeve kineze në BE dhe në Britani, të cilat gjatë vitit të kaluar ishin kufizuar në 7.9 miliardë euro, duke shënuar një rënie prej 22% krahasuar me vitin 2021. Megjithatë, siç thekson Zyra e Zhvillimit Industrial të Kombeve të Bashkuara - UNIDO, kjo është një rënie marramendëse prej 77% në krahasim me nivelet e vitit 2016 dhe kjo i detyrohet jo vetëm ndryshimit të qëndrimit të europianëve, por edhe kontrolleve që Pekini ka vendosur mbi lëvizjet e kapitalit.

Në samitin e G7, ministrat e financave të shtatë ekonomive më të fuqishme të botës do të shqyrtojnë mundësinë e vendosjes së kontrolleve të rrepta mbi investimet në Kinë. Problemi është, megjithatë, se jo të gjitha palët e shohin çështjen në të njëjtën mënyrë pasi një prishje e marrëdhënieve tregtare me ekonominë e dytë më të madhe në botë mund të jetë një goditje e madhe për ekonomitë me eksporte të rënda si Gjermania dhe Japonia. Uashingtoni po shton presionin për veprime shumë më të ashpra të bashkërenduara kundër Kinës.

Gjermania është veçanërisht e shqetësuar për çështjen e Kinës, të cilën tani e sheh si një rival strategjik dhe është e prirur të rishikojë marrëdhëniet e saj me Pekinin. Japonia gjithashtu mbetet e kujdesshme ndaj vendosjes së kontrolleve të rrepta mbi investimet në Kinë, e shqetësuar për ndikimin e fortë që mund të ketë në tregtinë ndërkombëtare dhe ekonominë japoneze.

Ndalimet për marrjen e kompanive europiane nga kompanitë kineze dhe për bashkimet midis kompanive kineze dhe europiane kanë kufizuar industritë kineze në investimet e gjelbra dhe veçanërisht në elektrifikimin. Në pesë vitet e fundit, industritë kineze të baterive kanë investuar 160.1 miliardë euro në Europë. 57% e fondeve kineze të vendosura në Evropë në vitin 2022 ishin në sektorin e investimeve të gjelbra.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat