Bota Postuar më 16 Tetor 2024, 13:55

Banka Botërore rrit kapacitetin e huadhënies - 30 mld dollarë më shumë në 10 vjet për të përballuar ndryshimet klimatike

Nga SCAN TV
Banka Botërore rrit kapacitetin e huadhënies - 30 mld dollarë

Kristi Ceta/SCAN

 

Banka Botërore, nën presionin për të ndihmuar vendet në zhvillim të përballen me ndryshimet klimatike, votoi ndryshimin e udhëzimeve të saj të brendshme, për të shtuar 30 miliardë dollarë kapacitet shtesë huadhënës gjatë dekadës së ardhshme, tha Presidenti i Bankës Botërore Ajay Banga.

Sipas tij,  Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim do të ulë raportin e vet të kapitalit ndaj huadhënies me 1 pikë përqindjeje në 18%, duke marrë përsipër pak më shumë rrezik, në përputhje me një raport të pavarur të përgatitur për G20, grupin e 20 ekonomive kryesore.

Masa, së bashku me ndryshimet në politikat e çmimeve të bankës, nënkupton se banka ka rritur kapacitetin e huadhënies me një total prej 150 miliardë dollarësh duke rregulluar bilancin e saj, shtoi Banga.

Presidenti i institucionit tha gjithashtu se ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trump e kupton vlerën e institucioneve financiare ndërkombëtare dhe se si kreditimi i tyre mund të çojë në tregje të zgjeruara për kompanitë amerikane jashtë shtetit.

Banga gjithashtu foli mbi koston e mundshme të rindërtimit nga sulmet ajrore izraelite në Gaza dhe rolin që mund të luajë Banka Botërore. Dëmi në Gaza tani ndoshta është në intervalin 14-20 miliardë dollarë dhe shkatërrimi nga bombardimet e Izraelit në Libanin Jugor do t'i shtohet atij totali rajonal, tha ai.

Banga theksoi se lufta ka pasur një ndikim relativisht të vogël në ekonominë botërore, por një zgjerim i konsiderueshëm i konfliktit do të tërhiqte vendet e tjera që janë kontribues më të mëdhenj në rritjen globale, duke përfshirë eksportuesit e mallrave.

“Para së gjithash, unë mendoj se kjo humbje e pabesueshme e jetëve duke përfshirë gra, fëmijë, civilë, është thjesht e paarsyeshme nga të gjitha anët. Ndikimi ekonomik i kësaj lufte, nga ana tjetër, varet shumë nga përhapja e konfliktit,” përfundoi Banga.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat