Analiza Postuar më 17 Janar 2025, 12:07

Analiza/ Çfarë janë DATACENTER, biznesi multimilionësh që mund të vijë edhe në Shqipëri?

Nga Scan TV

Analiza/ Çfarë janë DATACENTER, biznesi multimilionësh

Nga Kreshnik KUÇAJ/ DATAROOM

Pandemia COVID-19 dha disa leksione të rëndësishme për bizneset lidhur me nevojën për internet të shpejtë dhe të qëndrueshëm, duke nxjerrë në pah se infrastruktura digjitale është thelbësore për qëndrueshmërinë dhe rritjen e tyre. Puna në distancë u bë standard për shumë kompani. Kjo kërkonte lidhje interneti me shpejtësi të lartë dhe stabilitet për të mbështetur komunikimin virtual dhe ndarjen e të dhënave. Pandemia tregoi se interneti i shpejtë nuk është luks, por një domosdoshmëri për bizneset e nga ana tjetër, ato biznese që e përqafuan shpejt teknologjinë rezultoi se ishin më të qëndrueshme ndaj krizës. Paralelisht, fuqizimi i Inteligjencës Artificiale krijoi një nevojë madhore për internet të shpejtë dhe qendra të dhënash (data centers); pra ka krijoi një nevojë globale në rritje për infrastrukturë digjitale të fuqishme.

Çfarë janë Qendrat e të Dhënave dhe pse janë të rëndësishme?

 

Qendrat e të dhënave janë vendndodhje të centralizuara për ruajtjen, përpunimin dhe menaxhimin e sasive të mëdha të të dhënave. Ato ofrojnë infrastrukturë të besueshme, të shkallëzueshme dhe të sigurt për të mbështetur aplikacionet dhe shërbimet kritike të organizatave. Kostoja për ndërtimin e tyre varion nga 2 milion dollarë deri në 1 ose më shumë miliardë dollarë, në varësi të kapaciteteve.

‘Boom’-i global i  biznesit të DATACENTER

Industria e qendrave të të dhënave po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, e nxitur nga transformimi digjital i bizneseve, rritja e kompjuterizimit në cloud dhe përhapja e teknologjive që kërkojnë shumë të dhëna, si inteligjenca artificiale. Ky shpërthim i kërkesës për ruajtjen dhe përpunimin e të dhënave e ka bërë këtë sektor një perspektivë tërheqëse për investitorët që kërkojnë të përfitojnë nga kjo rritje. Kjo industri aktualisht është një nga industritë me rritjen më të shpejtë dhe ka njohur një ‘shpërthim’ duke arritur në një treg miliarda dollarësh. Për të krijuar një ide, Microsoft ka bërë publike planet për të investuar rreth 80 miliardë dollarë gjatë këtij viti për zhvillimin e qendrave të të dhënave ndërsa Amazon ka deklaruar një investim prej 11 miliardë dollarësh në infrastrukturën e inteligjencës artificiale, duke përfshirë Qendrat e të Dhënave. Tregu global i ndërtimit të Qendrave të të Dhënave pritet të arrijë në 103.6 miliardë dollarë deri në vitin 2032.

Por sa shanse ka Shqipëria që të tërheqë gjigandët globalë të teknologjisë për të ndërtuar në territorin e saj një ose më shumë qendra të dhënash?

Kompanitë globale kanë një interes në rritje për të investuar në ndërtimin e Qendrave të të Dhënave në Ballkan për shkak të avantazheve strategjike të rajonit. Vende si Serbia, Kroacia apo Greqia janë aktualisht më të përparuara në këtë sektor. Ndërkohë, Shqipëria ka një potencial të madh për t’u zhvilluar më tej.

 

Avantazhet e Shqipërisë

Shqipëria mund të shërbejë si një pikë hyrëse për kompanitë teknologjike që duan të zgjerojnë shërbimet e tyre në Ballkan dhe Evropën Juglindore.

1-Burimet e rinovueshme të energjisë: Shqipëria është lider në rajon në prodhimin e energjisë nga burime të rinovueshme dhe po bën investime të konsiderueshme në energjinë diellore dhe të erës, duke shtuar kapacitetet e instaluara për prodhim energjie. Këto qendra konsumojnë shumë energji dhe parashikohet që në vitet në vijim, të trefishojnë nevojën për të. Nga ana tjetër, në mbarë botën, për shkak të ndryshimeve klimatike po demotivohet prodhimi i energjisë elektrike nga burime që krijojnë ndotje si energjia bërthamore apo qymyri. Ky fakt e favorizon Shqipërinë e cila brenda 2 apo 3 viteve projektohet të plotësojë neojat e brendshme të energjisë dhe të kalojë në vend eksportues i saj. Këto elemente janë tërheqëse për kompanitë e mëdha. Kompanitë globale si Amazon, Google, dhe Microsoft kanë një fokus të madh te qëndrueshmëria dhe kërkojnë furnizim me energji të gjelbër për operacionet e tyre, duke përfshirë qendrat e të dhënave. Shqipëria mund të ofrojë një mjedis që i përshtatet këtyre kërkesave.

Pozita strategjike: Shqipëria ndodhet afër tregjeve të BE-së. Zakonisht qendrat e të dhënave ndërtohen sa më afër tregjeve me qëllim që të krijohen sa më pak vonesa në përçimin e të dhënave. Nga ana tjetër, në shkurtin e vitit 2024, është nënshkruar marrëveshja për ndërtimin e një linje kabllore nënujore që do të lidhë drejtpërdrejt Shqipërinë me Egjiptin. Ky projekt synon të krijojë një "Autostradë Digjitale" mesdhetare, duke e pozicionuar Shqipërinë si një nyje strategjike për transmetimin e të dhënave midis Evropës, Azisë dhe Afrikës. Linja kabllore do të ofrojë rrugën më të shkurtër për lidhje me qendrat kryesore të trafikut digjital evropian, si Frankfurti, duke forcuar pozicionin e Shqipërisë në hartën globale të komunikimeve. E kjo mund të përbëjë një element favorizues për ndërtimin e Qendrave të të Dhënave në Shqipëri.

Kosto e ulët operative: Kostoja e fuqisë punëtore dhe e energjisë në Shqipëri, konsiderohen si ndër më konkurrueset në rajon.

Infrastruktura dixhitale është ende në zhvillim dhe ka nevojë për përmirësime të mëtejshme për të mbështetur qendrat e mëdha të të dhënave.

Avantazhet si burimet e rinovueshme të energjisë, pozita gjeografike e favorshme, kostoja e ulët operative dhe planet për lidhje kabllore nënujore me Egjiptin mund të shërbejnë si pika të forta për të tërhequr investitorët globalë. Megjithatë, për të maksimizuar këtë potencial, duhet qw vendi të vazhdojë të investojë në infrastrukturën digjitale, të përmirësojë klimën investuese dhe të ndërtojë partneritete strategjike me kompanitë kryesore të teknologjisë.

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat