Rajoni Postuar më 1 Nëntor 2025, 12:46

Një vit nga aksidenti i Novi Sadit në Serbi Qytetarët shpërthejnë në protesta. Vuçiç: Nuk do të ketë ndryshim qeverie

Nga Kristi Ceta

Një vit nga aksidenti i Novi Sadit në Serbi Qytetarët

Dhjetëra mijëra studentë dhe kundërshtarë të presidentit aktual të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, u mblodhën në qytetin verior të Novi Sadit për të zhvilluar një protestë përkujtimore, një vit pas aksidentit tragjik në një stacion treni, ku humbën jetën 16 persona.

Kohët e fundit po rritet mbështetja për kërkesat e opozitës, që synon ndryshime të mëdha politike në vend, pas gati një viti demonstratash të udhëhequra nga studentët.

Ndërsa mijëra protestues mbërrijnë në Novi Sad nga e gjithë Serbia, Vuçiç ka kërcënuar me arrestime masive nëse pjesëmarrësit “do të përdorin dhunën”. Ai ka tentuar gjithashtu të minimizojë rëndësinë dhe përmasat e protestës përkujtimore. I pyetur nga një gazetar televiziv për të komentuar ngjarjen, Vuçiç u përgjigj me ironi: “Çfarë po ndodh në Novi Sad? A luhet ndonjë ndeshje futbolli?”

Presidenti shtoi se “shumë do të zhgënjehen nga pritshmëritë e tepruara për tubimin” dhe se “nuk do të ketë ndërrim qeverie”.

Shumica e demonstratave të drejtuara nga studentët deri më tani kanë qenë paqësore. Megjithatë, tensionet janë rritur pas një viti protestash. Policia ka reaguar me forcë ndaj tyre, ndërsa qindra kundërshtarë të Vuçiç janë arrestuar për pjesëmarrje në tubimet e mëparshme.

Shkaku i protestave shumëmujore ishte shembja tragjike e një pjese të stacionit të trenit më 1 nëntor të vitit të kaluar, ku humbën jetën 16 persona.

Për këtë ngjarje janë fajësuar gjerësisht neglizhenca qeveritare, korrupsioni endemik dhe marrëveshjet e dyshimta me disa kompani kineze të ndërtimit, që ishin të përfshira në punimet e rinovimit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat