Shqipëria Postuar më 24 Qershor 2022, 11:54

Agroturizmi, sektori me potencial zhvillimi/ Renditja dhe analiza e të ardhurave dhe fitimeve për 20 ferma agroturistike të regjistruara, cila kryeson

Nga SCAN TV
Agroturizmi, sektori me potencial zhvillimi/ Renditja dhe analiza e të

Pavarësisht se agroturizmi konsiderohet në fazat e tij fillestare në Shqipëri, të dhënat e analizuara nga "Scan Intel" tregojnë se gjatë 5 viteve të fundit, të ardhurat për fermat e regjistruara paraqesin tendencë rritëse. Sipas të dhënave të grumbulluara për 20 kompani të regjistruara pranë Qëndrës Kombëtare të Biznesit, të ardhurat e fermave arrijnë në 427 mln lekë ose 3,5 mln euro ndërkohë që fitimet neto raportohen në vlerën e 65 milionë lekëve, ose 545 mijë euro. Të dhënat i përkasin një viti pandemik si 2020-a, ndërkohë që për 2019, duket se të ardhurat dhe fitimet rezultojnë edhe me të larta.

https://public.flourish.studio/visualisation/10435641/

Nderkaq sa i takon renditjes, “Mrizi i Zanave” është qëndra e agroturizmit me nivelin më të lartë të të ardhurave, me rreth 243 mln lekë xhiro vjetore, duke u pozicionuar në vend të parë, referuar analizës së pasqyrave financiare për vitin 2020. Agroturizëm "Kodra e Kuajve” të ardhurat e të cilës llogariten në 72 mln lekë për vitin 2020, renditet e dyta në listën e 20 kompanive të regjistruara si qëndra agroturizmi me të ardhurat më të larta vjetore. “Agroturizëm Huqi”, “Kantina Nurellari”, “Fustanella Farm”, “Agro Gjepali”, “Sofra Resort”, “Kështjella”, “Shkreli Resort” dhe “Pema e Jetës” janë tetë kompanitë e tjera që plotësojnë 10 vendet e para, me përkatësisht 22 mln lekë të ardhura për “Agroturizëm Huqi”, 16 mln lekë të ardhura për “Kantina Nurellari”, 14 mln lekë për “Fustanella Farm”, “Sofra Resort” dhe “Agro Gjepali”, 12 mln lekë për “Kështjella”, 10 mln lekë “Shkreli Resort” dhe 6,8 mln lekë për "Pema e Jetës".

https://public.flourish.studio/visualisation/10435792/

Sa i përket fitimit neto, është po “Mrizi i Zanave” subjekti që mban vendin e parë. Rreth 52 mln lekë llogaritet fitimi neto për këtë kompani në 2020-ën. “Kantina Nurellari” renditet në vend të dytë, me 8,6 mln lekë, ndjekur nga “Agroturizem Kodra e Kuajve”, me 6,6 mln lekë. Ndërkohë, sa i përket fitimeve, “Keshtjella (Berat)” ngjitet në vend të 4-tët, me 1,3 mln lekë. Në vend të 5-të ndjek “Agroturizem Huqi”, me 1,1 mln lekë, ndërkohë qe subjektet e tjera kanë fitime më të vogla ose rezultojnë më humbje. Nëse do t`i referohemi industrisë në total, të 20 kompanitë e marra në analizë gjatë 2020-ës, kanë raportuar 427 mln lekë ose 3,5 mln euro të ardhura dhe rreth 65 milionë lekë fitime neto, ose 545 mijë euro. Ndërkohë që për 2019 të ardhurat janë më të larta, 484 mln lekë çka përkthehet në 4 mln euro dhe 78 mln lekë fitime neto, ose 650 mijë lekë.

https://public.flourish.studio/visualisation/10436423/

Kështu, pandemia nuk ka kaluar pa lënë gjurmë për këtë sektor, pasi të ardhurat përgjatë vitit 2020, krahasuar me vitin 2019 për një pjesë të konsiderueshme të subjekteve të marra në analizë, kanë rënë nga 35%-50%. Nese analizën e përqendrojmë tek subjektet që kanë operuar edhe para pandemisë, shohim se të ardhurat e tyre për vitet 2016-2019 regjistrojnë nivele të larta rritje, nga 30%-60%. Keshtu, fitimi marxhinal për industrinë varion nga 4%, deri në 54% sa i përket listës së dhjetë të parëve, çka sinjalizon se nën një menaxhim të mirë, një biznes agroturizmi mund të përkthehet shumë shpejt në të ardhura dhe se potenciali i rritjes është gjithashtu i lartë.

I zhvilluar kryesisht si biznes familjar, fermat menaxhohen nga individë të rinj në moshë rreth të 35-ave. Madhësia e një fermë agroturistike është përafërsisht 7,3 ha, më e lartë se mesatarja e fermave bujqësore që operojnë në Shqipëri (1,2 ha), referuar një publikimi të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Sipas të njejtit studim, agroturizmi mund të përdoret si mjet i dobishëm për rritjen e kërkesës për produktet e origjinës, krijimin e vlerës së shtuar në zonën rurale, përmirësimin e marketingut rajonal, sigurimin e stimujve ekonomikë për fermerët që qëndrojnë të angazhuar në bujqësi, nxitjen e fermerëve të mbajnë tokën në prodhim, dhe rigjallërimin e komuniteteve lokale. Nëse do ti referohemi serisht studimit të sipërpërmendur, ky sektor mund të kontribuojë si urë lidhëse mes banorëve të zonave urbane dhe bujqësisë e jetës rurale, si dhe siguron përfitime shoqërore e kulturore siç është edukimi publik mbi ushqimin, sigurinë ushqimore, bujqësinë dhe rëndësinë e saj për ekonominë.

Ndërkohë që procesi i identifikimit dhe nxitjes së sipërmarrjeve të reja nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural vijon, duket se gjithnjë e më shumë individë po hedhin vështrimin drejt agroturizmit si një formë tejet tërheqëse dhe jo pak fitimprurëse investimi.

Shënim: Për shkrimin e këtij artikulli, “Scan Intel” u mbështet në kryqezimin e të dhënavë të Qëndrës Kombëtare të Biznesit, website-it Agroturizëm.gov.al dhe hulumtimeve të kryera nga Departamenti i Menaxhimit të Turizmit Rural, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat