Shqipëria Postuar më 30 Mars 2023, 13:40

2023 nis me rritjen e sigurimeve të jetës, shtesa 35.5% - Sipas AMF, llogariten në 277 milionë lekë gjatë dy muajve të parë të vitit

Nga SCAN TV
2023 nis me rritjen e sigurimeve të jetës, shtesa 35.5% - Sipas AMF,

Megjithëse në nivele modeste, sigurimi i jetës ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë muajve të parë të këtij viti. Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare raporton se primet nga sigurimet e Jetës gjatë muajit janar-shkurt 2023, arritën rreth 277 milionë lekë, apo 2.7 milionë dollarë. Rritja është 35.5% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ndërkaq, Primet e sigurimit vullnetar, gjatë muajit janar-shkurt 2023 arritën rreth 1,4 miliardë lekë, 36.6% më shumë se në muajin  janar-shkurt 2022. Kjo megjithëse numri i kontratave të sigurimit vullnetar pësoi u ulje me 0.86% krahasuar me muajin  janar-shkurt 2022.

Ndërkohë sa i përket tregut në tërësi, të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për muajin janar-shkurt 2023 kapën vlerën 3,297 milionë lekë, ose 19.07% më shumë se në janar-shkurt 2022. Gjatë muajit janar-shkurt 2023, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 187,030  me një rritje prej 13.06% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 91.59% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 8.41%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 43.48% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 56.52% të totalit të tregut.

Lorenc Rabeta/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat