Shqipëria Postuar më 3 Gusht 2023, 15:20

Zhvlerësimi i euros, 5 mijë biznese në vështirësi - Eksportuesit kërkojnë ekspertizë të institucioneve financiare ndërkombëtare

Nga SCAN TV
Zhvlerësimi i euros, 5 mijë biznese në vështirësi -

Zhvlerësimi i euros ka vënë në vështirësi aktivitetin e bizneseve prodhuese dhe eksportuese shqiptare. Së fundmi zyra e unifikuar e shoqatave të eksportit, nëpërmjet një letre u ka kërkuar institucioneve financiare ndërkombëtare të pranishme në Shqipëri që të ofrojnë ekspertizë, me qëllim nxitjen dhe lehtësimin e politikave të eksportit, ku përfshihen politikat fiskale, ato monetare, por edhe rëndësia e reduktimit te kostove dhe te ngarkesave fiskale.

Zhvlerësimi i monedhës euro me rreth 13% me bazë vjetore prek mbi 5.000 kompani ekportuese që numërojnë mbi 200 mijë të punësuar. Aktualisht, pesha e këtyre bizneseve në Prodhimin e Brendshëm Bruto ka një kontribut prej afro 23%.

Sipas eksportuesve, forcimi i monedhës kombëtare nuk vjen nga forcimi i ekonomisë sonë për shkak të rritjes së produktivitetit, rritjes së konkurencës, rritjes së investimeve të huaja direkte dhe të ardhurave nga remitancat.

Ata pretendojnë se luhatjet e mëdha dhe të përkohshme që dëmtojnë rëndë eksportuesit dhe turizmin duket se ndikohen edhe nga paratë informale apo kriminale në ekonominë shqiptare.

Shoqatat e eksportit vlerësojnë se këto luhatje ndoshta do të ndjehen edhe më shumë në vitet në vijim.

Ndërkohë, një ditë më parë në një konferencë për mediat, Guvernatori I Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka pranuar se një mbiçmim kaq i shpejtë i kursit të këmbimit krijon disbalanca duke shtuar rreziqet për ekonominë.

Sinkron Gent Sejko

Guvernator I Bankës së Shqipërisë

Pra, kjo është ajo që ne jemi duke mbajtur në konsideratë në raport me mbiçmimin e përshpejtuar të kursit të këmbimit gjatë muajit korrik. Pra, forcimi është më i shpejtë sesa produktiviteti i ekonomisë dhe rritja e ekonomisë dhe sigurisht jep disa sinjale rreziku në këtë moment.

Për informacioni tuaj, blerjet dhe ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë për efekt të shtimit të rezervës valutore ose për efekte të tjera, zakonisht deklarohen një 3-mujor më vonë që të mos kenë efekte në tregun valutor. Aktualisht, deri më sot ne kemi tërhequr për këtë vit, rreth 170 milionë euro.

Natyrisht që ne do të rikonsiderojmë duke parë ecurinë e kursit të këmbimit dhe ndikimin që ka kursi  i këmbimit, të rrisim blerjet për efekt të rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë, për pjesën e mbetur të vitit.

Menjëherë pas këtyre deklaratave, euro regjistroi një forcim ndaj lekut. Ndërkohë, që të mërkurën në orët e mesditës u vlerësua më tej dhe sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë u këmbye me 104,7 lekë.

Dorian Koça/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat