Shqipëria Postuar më 26 Qershor 2023, 14:41

Transparenca në industrinë nxjerrëse - Standardet e reja, Hajnaj: Raportim për çështjet sociale e klimatike. Penalitete, nëse s’përmbushen

Nga SCAN TV
Transparenca në industrinë nxjerrëse - Standardet e reja, Hajnaj:

Raportimi mbi çështjet sociale, mjedisore dhe klimatike për aktivitetin e nxjerrjes së naftës dhe mineraleve tashmë do të jetë detyrim. Kjo, bazuar në standardet e reja të vendosura nga Bordi Ndërkombëtar i Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse (EITI), ku vendi ynë bën pjesë që prej vitit 2009. Anila Hajnaj, antare e Grupit Ndërinstitucional të EITI në Shqipëri thotë për TV SCAN, se plotësimi i këtij detyrimi është i rëndësishëm, pasi në të kundërt rrezikojmë largimin nga ky organizëm.

 “Kjo është shumë e rëndësishme sepse vendet do të jenë të detyruara që në raportin e EITI-t të raportojnë dhe çështje të tilla. Sigurisht shteti duhet të ketë më shumë kujdes, tashti ka një detyrim nëse do themi sepse ne jemi anëtarë të EITI-t dhe ne duhet të përpiqemi që t’i kryejmë detyrat tona sa më mirë, kështu që ndoshta do të ketë kontroll më të madh. Bordi i EITI-t duhet të ketë më shumë kujdes kur përgatitet raporti dhe nëse të gjitha këto detyrimet nuk plotësohen, atëhere ne na largojnë nga EITI”

Sipas Hajnat, mungesa e transparencës në të dhëna që lidhen me industrinë xjerrëse mund të ndikojë negativisht edhe në drejtim të anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“Përjashtimi nga EITI është një çështje jo e mirë për vendin tonë, duke qenë që ne kemi qenë të dytët në Europë që jemi bërë pjesë e transparencës për industrinë nxjerrëse dhe meqenëse është çështje e transparencës, ndoshta kjo mund të ndikojë negativisht për çështjet e MSA-së. Kjo sepse nesër nëse aspirojmë të hyjmë në Europë, atëherë është negative për vendin tonë që një nga pjesët e transparencës që është shumë e rëndësishme industria nxjerrëse ne nuk e kemi marrë në konsideratë, ose detyrën nuk e kemi kryer si duhet. Sigurisht është hap i madh pas dalja nga EITI”.

Standardet e reja të EITI, që lidhen me çështjet sociale, mjedisore dhe klimatike u prezantuan në konferencën Globale të mbajtur në Senegal, në data 12 -13 qershor.

Ola Mitre / SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat