Shqipëria Postuar më 30 Gusht 2023, 14:20

Tenderi i inceneratorit të Elbasanit, KPP kërkon hetim / ECO-ELB lidhi kontratë, edhe pse procedura ishte ankimuar te Komisioni i Prokurimit Publik

Nga SCAN TV
Tenderi i inceneratorit të Elbasanit, KPP kërkon hetim / ECO-ELB lidhi

Shoqëria ECO-ELB, që administron inceneratorin e Elbasanit pas sekuestrimit akuzohet nga Komisioni i Prokurimit Publik për shkelje të legjislacionit në fuqi në një tender të zhvilluar pak muaj më parë. Sipas KPP-së, shoqëria ka vijuar procedurat për lidhjen e kontratës me një kompani të shpallur fituese për monitorimin e parametrave mjedisorë, ndonëse procedura ishte ankimuar nga një tjetër operator pjesëmarrës në garë.

Sipas legjislacionit në fuqi, autoriteti kontraktor është i detyruar të presë vendimin përfundimtar të KPP-së, që mund të lejojë ose pengojë nënshkrimin e kontratës, por ky detyrim nuk është zbatuar nga ECO-ELB, aksionet e së cilës zotërohen nga bashkitë e Qarkut Elbasan. Ndërkaq, në vendimin përfundimtar të Komisionit të Prokurimit Publik kërkohet nisja e hetimit nga ana e Agjencisë së Prokurimit Publik, si dhe theksohet se autoriteti kontraktor duhet të këtë në vëmendje këto konstatime në lidhje me procedurat e tjera që do të zhvillojë.

Paralelisht, KPP i ka dhënë të drejtë kompanisë që ka ankimuar tenderin për skualifikim të padrejtë nga gara, ndërsa shton se kriteret, për të cilat kjo kompani është skualifikuar janë hartuar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, pasi shkaktojnë kufizim e cenojnë konkurrencën, duke kufizuar pjesëmarrjen e ofertuesve në mënyrën e përmbushjes së tyre. ECO-ELB u krijua për zbatimin e detyrimit koncesionar të transferimit të inceneratorit të Elbasanit, pas vendosjes nën sekuestro konservative të të gjithë aseteve të kompanisë “Albtek Energji”, që ishte mbajtëse e koncesionit. 52% e aksioneve të saj zotërohen nga Bashkia Elbasan, ndërsa bashkitë e tjera të qarkut  e më konkretisht, Librazhdit, Belshit, Peqinit, Gramshit, Cërrikut dhe Prrenjasit zotërojnë nga 8% të aksioneve.

Ola Mitre / SCAN

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat