Shqipëria Postuar më 6 Maj 2024, 11:16

Të huajt blenë 26% të pasurive të paluajtshme në Shqipëri - Bie numri i pronave të pashitura. Shumica prej tyre të blera me kredi

Nga SCAN TV
Të huajt blenë 26% të pasurive të paluajtshme në

Numri i pronave të pashitura ka rënë për shkak të uljes së cmimeve dhe rritjes së kërkesës nga të huajt. Referuar një sondazhi të Bankës së Shqipërisë me agjentë imobiliarë, 26% e pasurive të paluajtshme janë blerë nga të huajt gjatë gjysmës së dytë të vitit të shkuar, 2/3 e të cilëve ishin nga vende të BE-së.

Çmimi mesatar i banesave të shitura është ulur me 7.6% krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, por ka mbetur 3.2% më lart se vlera e vitit paraardhës. Referuar Bankës Qendrore, për pronat e shitura në Tiranë, çmimet regjistruan një rënie prej 10.1% ndaj gjysmës së parë të vitit 2023, por janë rritur lehtë krahasuar me vitin 2022.

Kërkesa për prona të paluajtshme nga individë dhe biznese u mbështet nga kredia bankare, e cila ka vijuar të rritet me ritme të shpejta pavarësisht niveleve më të larta të normave të interesit. Kjo e fundit ka bërë që të rritet me 3.2% raporti i kredive me probleme. Konkretisht, 60% e pronave për banim dhe e atyre për përdorim tregtar janë blerë me hua bankare. Në 60% të rasteve, kredia ka mbuluar deri në 60% të vlerës.

Në fund të gjashtëmujorit të dytë të vitit të shkuar, teprica e kredisë së përgjithshme të individëve shënoi vlerën 180 miliardë lekë, duke u rritur me 4.7% gjatë periudhës dhe me 8.4% kundrejt një viti më parë.  Ndërsa kredia e marrë nga bizneset për pasuri të paluajtshme deri në fund të vitit 2023 zinte rreth 38% të tepricës së kredisë së përgjithshme të bizneseve.

Ledina Elezi/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat