Shqipëria Postuar më 10 Qershor 2022, 12:47

Të gjithë me smartphones, harrohen linjat fikse - Në një vit “u këputën telat” e 32,500 telefonave tradicionalë, kanë mbetur 186 mijë në total

Nga SCAN TV

Telefonat fiks po humbasin prej dekadash terren ndaj telefonisë celulare, por dy vitet e fundit është shënuar një rëni drastike e numrit të tyre. Në tremujorin e parë të vitit 2022 rezultojnë në total 186,153 linja telefonash fiks, rreth 10 mijë më pak krahasuar me periudhën tetor-dhjetor të vitit të shkuar. Por për të kuptuar sa e fortë është rënia, sjellim në vëmendje se në mars të vitit 2021 rezultonin 218,733 linja telefonash fiks, me rënie prej thuajse 15%, ose 32 mijë më pak. Ndërkohë që po t’i referohemi vitit 2020, rezulton se numri i linjave të telefonisë fikse ishte 223,469, rreth 37 mijë më shumë se në mars të këtij viti.

Ky tregues i referohet numrit total të linjave telefonike që pajtimtarët e rrjetit fiks përdorin për shërbim telefonik fiks dhe që plotësojnë dy kushte: 1) pajtimtarit i është alokuar një numër fiks në rrjetin e operatorit (përfshirë numrat e marrë nga operatorët e tjerë me portim), dhe 2) numri fiks i alokuar është në përdorim në fund të periudhës së raportimit, pavarësisht nëse është kryer apo jo thirrje (dalëse apo hyrëse) gjatë periudhës nga pajtimtari.

Pra ky tregues është sasia totale e numrave fiks të alokuar dhe që janë ende në përdorim nga pajtimtarët në fund të periudhës së raportimit. Këtu përfshihen edhe pajtimtarët që kanë të përfshirë shërbimin e telefonisë fikse si pjesë e paketave të integruara së bashku me shërbime të tjera si Internet, TV etj.

Rënia bëhet më se e kuptueshme po t’i referohemi numrit të kartave celulare që qarkullojnë në Shqipëri. Numri i pajtimtarëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM në fund të T1 2022 ishte rreth 3,416,311 që përbën një një rritje me 7.8% në krahasim me T1 2021. Ndërsa numri i përdoruesve aktivë të telefonisë celulare gjatë T1 2022 arriti në rreth 2.58 milionë me rritje me rreth 3.4% me T1 2021.

Lorenc Rabeta / SCAN

https://www.youtube.com/watch?v=0W8-zFcR9mg

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat