Europa Postuar më 20 Tetor 2022, 14:30

Siguria kibernetike, prioritetet e qeverisë italiane - Avokati Stefano Mele: Strategji reagimi ndaj sulmeve ransomware

Nga SCAN TV
Siguria kibernetike, prioritetet e qeverisë italiane - Avokati Stefano

Siguria kibernetike nuk duket se është në krye të prioriteteve të qeverisë së re në Itali, pavarësisht sulmeve në rritje. Sipas avokatit Stefano Mele, të dhënat në smartphone, llogaria rrjedhëse në bankë, ngrohja në shtëpi, gjithçka është e rregulluar nga teknologjia e informacionit, që kërcënohet çdo ditë e më shumë. Aq më tepër që kur shpërtheu konflikti Rusi-Ukrainë.

Stefano Mele shprehet se, qeveria e re e ardhshme e udhëhequr nga Giorgia Meloni, "duhet të garantojë respektimin e një kushti kryesor: vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve thelbësore për qytetarët, që tani më shumë se kurrë kalon përmes sigurisë kibernetike.

Avokati, i cili është kreu i departamentit ligjor për sigurinë kibernetike në kompaninë Gianni & Origoni, thekson se, “siguria kibernetike është baza e gjithçkaje dhe injorimi i saj do të ishte një gabim i madh. Fjala është për vazhdimësinë në ofrimin e funksioneve thelbësore publike si energjia, telekomunikacioni, sistemi bankar dhe financiar, shëndetësia, transporti”.

Përballë rritjes së sulmeve të ransomëare, "qeveria duhet të ndërmarrë një strategji reagimi dhe nuk mund të rrijë të vështrojë. Numri i sulmeve ransomware po rritet vazhdimisht, ashtu si dhe aftësia e tyre për të ndikuar në operacionet e kompanive dhe administratës publike. Një skenar, paralajmëron avokati, që ekzekutivi i ri nuk mund të mos shqetësohet. Duhet të shmangim bllokimin e vazhdueshëm të operacioneve të kompanive tona me pasoja të rënda për rritjen ekonomike”. Ne kemi nevojë sa më shpejt të jetë e mundur për "një rregull të ri, nënvizon Mele, për të ndaluar në mënyrë eksplicite pagesën e një shpërblimi pas një sulmi kibernetik. Nuk është një masë vendimtare, por sigurisht është një sinjal i rëndësishëm”.

Në këtë kuadër, prioritet duhet t'i jepet sektorit më të dobët, atij që pëson dëmin më të madh nga sulmet kibernetike: sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, shtylla kurrizore e sistemit ekonomik italian. “Niveli i tyre i sigurisë kibernetike, i cili është ende shumë i ulët, duhet të rritet sa më shpejt të jetë e mundur. Ashtu si në administratën publike, ka shumë mungesë kulture, kompetence, investimi dhe ndjeshmërie në kibernetikë në SME-të”.

Avokati Mele sugjeron zgjerimin e projektit aktual të cloud kombëtar duke përfshirë edhe sistemin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Institucioneve publike duhet t’u kërkohet të bashkohen me cloud në mënyrë të detyrueshme dhe falas. Për kompanitë e vogla dhe të mesme, megjithatë, aksesi duhet të jetë fakultativ dhe me pagesë. Por, edhe vetëm nëpërmjet kësaj mase, niveli i mbrojtjes së informacionit do të rritej ndjeshëm, duke ulur kështu ndikimin e këtyre sulmeve”. Më pas, ka një sfidë tjetër për qeverinë e re: të përshpejtojë sa më shumë që të jetë e mundur krijimin e një tregu kombëtar teknologjik të lidhur me sektorin e teknologjive kritike dhe sigurisë kibernetike, vëren Mele.

Një treg kombëtar i teknologjisë i lidhur me sigurinë kibernetike dhe prodhimin e teknologjive kritike si çipat, duhet të jetë një përparësi për qeverinë e re. “E kemi sugjeruar dhe nxitur prej kohësh, shprehet avokati. Ideja është krijimi i një parku kibernetik. Për më tepër, përmendet edhe në Strategjinë Kombëtare Kibernetike të qeverisë të hartuar pranverën e kaluar”. Parku kibernetik para së gjithash duhet të jetë një zonë e dedikuar për zhvillimin e çështjeve të sigurisë kibernetike që përfshijnë universitetet, kompanitë e mëdha, fondet e kapitalit sipërmarrës, qeverinë. "Një strukturë e aftë për të kontribuar në krijimin e një numri të madh të start-up-eve të ekselencës në sektorin e sigurisë kibernetike dhe zhvillimin e teknologjive themelore për mirëqenien tonë, si për shembull, ajo e çipave", përfundon avokati Stefano Mele.

SCAN

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat