Shqipëria Postuar më 28 Gusht 2026, 13:22

Profesionistët shqiptarë drejt BE-së - Projektligji i ri synon njohjen e kualifikimeve dhe lëvizjen e lirë

Nga Edel Strazimiri

Profesionistët shqiptarë drejt BE-së - Projektligji i ri synon

Profesionistët shqiptarë mund të kenë një rrugë më të qartë drejt ushtrimit të profesionit në vendet e Bashkimit Evropian. Ministria e Arsimit ka hedhur për konsultim publik një projektligj të ri që synon përafrimin e sistemit shqiptar me rregullat evropiane për njohjen e kualifikimeve profesionale dhe ushtrimin e profesioneve të rregulluara.

Nisma lidhet drejtpërdrejt me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE dhe me detyrimet për përafrimin e legjislacionit vendas me acquis communautaire. Në fokus është krijimi i një sistemi të unifikuar, përmes të cilit kualifikimet profesionale të fituara në Shqipëri të mund të njihen në vendet e BE-së pas anëtarësimit, duke lehtësuar lëvizjen dhe punësimin e profesionistëve.

Projektligji parashikon gjithashtu rregulla më të qarta për njohjen e kualifikimeve të profesionistëve nga vendet e BE-së, Zonës Ekonomike Evropiane dhe Zvicrës, si dhe përcakton mënyrën se si do të vlerësohen kërkesat për aksesin dhe ushtrimin e profesioneve të rregulluara në Shqipëri.

Nga mjekët te arkitektët, shtatë profesionet me rregulla të përafruara

Një pjesë e rëndësishme e procesit lidhet me profesionet sektoriale, për të cilat Shqipëria ka nisur tashmë përafrimin e kërkesave minimale të formimit profesional me standardet e BE-së. Bëhet fjalë për mjekët, infermierët, stomatologët, kirurgët veterinarë, mamitë, farmacistët dhe arkitektët.

Sipas projektligjit, megjithëse janë ndërmarrë hapa për përafrimin e këtyre profesioneve, sistemi i plotë i njohjes së kualifikimeve profesionale dhe mekanizmi për vlerësimin e proporcionalitetit nuk janë ende të përfshirë në mënyrë të plotë në legjislacionin shqiptar.

Çfarë ndryshon me projektligjin?

Nisma synon të krijojë një procedurë të unifikuar për njohjen e kualifikimeve profesionale, duke përcaktuar më qartë kriteret dhe mekanizmat që do të përdoren nga institucionet përgjegjëse.

Një tjetër element është testi i proporcionalitetit, i cili do të shërbejë si një mekanizëm vlerësimi përpara miratimit të rregullave të reja që kufizojnë aksesin ose ushtrimin e një profesioni. Qëllimi është që këto kufizime të jenë të justifikuara, të nevojshme dhe në përputhje me standardet evropiane. Projektligji synon gjithashtu të përmbushë angazhimet e Shqipërisë në kuadër të marrëveshjeve rajonale për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale, përfshirë marrëveshjet e lidhura në kuadër të CEFTA-s.

Synimi final: Profesionistët shqiptarë më të mobilizueshëm në tregun evropian

Në thelb, ndryshimet synojnë që Shqipëria të ketë një kuadër ligjor të përafruar me atë të BE-së për profesionet e rregulluara. Sipas objektivave të projektligjit, kjo do të krijojë kushtet që, me anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, profesionistët shqiptarë të përfitojnë nga mekanizmat e njohjes reciproke të kualifikimeve dhe të kenë mundësi më të mëdha për të lëvizur dhe ushtruar profesionin në vendet anëtare.

Nisma vjen pas gjetjeve të procesit të screening-ut për Kapitullin 3, ku është evidentuar nevoja për transpozimin e plotë të rregullave evropiane për njohjen e kualifikimeve profesionale dhe testin e proporcionalitetit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat