Si i bleu dhe i shiti Shqipëria aksionet në bankën më të rëndësishme në botë në vitin 1977
https://www.youtube.com/watch?v=53O3AcC2b0s
*Nga Kreshnik KUÇAJ
Në vitin 1930 në Bazel të Zvicrës u krijua një organizëm i veçantë financiar, Banka e Rregullimeve Ndërkombëtare (International Bank for Settlement IBS).
Krijimi i kësaj banke erdhi si nevojë e ndërtimit të një organizmi monitorues për shlyerjen e dëmshpërblimeve të Luftës së Parë Botërore nga ana e Gjermanisë.
Anëtarë themelues të Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare ishin një grup bankash qendrore si ajo e Belgjikës, Zvicrës, Francës, Japonisë, Britanisë së Madhe, Italisë dhe vetë Gjermanisë. Pjesë e saj, ishin dhe një grup bankash të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në këtë mënyrë, lindi ajo që sot njihej si “Banka Qendrore” e Bankave Qendrore.
Banka e Rregullimeve Ndërkombëtare është një ndër institucionet më të vjetra financiare ndërkombëtare dhe mbetet qendra kryesore për bashkëpunimin ndërkombëtar në sektorin bankar.
Kjo bankë vepronte sipas statusit të garantuar nga Karta Kushtetuese në bazë të të cilës ajo përjashtohej nga pagesa e taksave dhe tatimeve mbi të ardhurat dhe kapitalet e saj.
Kurse pasuria e bankës si depozitat ose fondet që i besoheshin asaj nuk mund të bëheshin objekt, as në kohë lufte, i ndonjë vendimi për shpronësim, sekuestrim, konfiskim apo për kufizim eksporti e importi të arit, valutave etj.
Banka e filloi aktivitetin e saj në maj të vitit 1930 me një kapital prej 500 milionë franga ar të shpërndara në 200 mijë aksione.
Me kalimin e viteve, banka e zgjeroi aktivitetin e saj, ashtu sikurse edhe numrin e bankave pjesëmarrëse në të.
E Shqipëria, edhe pse kishte vetëm pak vite që kishte krijuar një bankë të sajën, në vitet ’30 bëhet pjesë e kësaj banke duke blerë fillimisht 500 aksione të saj.
Inkuadrimi i Shqipërisë si aksioner në këtë organizëm ndërkombëtar, duket se ka rrjedhur më shumë nga fakti se pjesën më të madhe të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e zotëronte kapitali italian.
Në këtë mënyrë, jo vetëm Banka e Italisë por edhe ajo e Shqipërisë, në vitet ’30 rezultonin aksionere në Bankën e Rregullimeve Ndërkombëtare.
Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ndërmerr një lëvizje të fortë ekonomike por edhe politike…
Si u kalua nga Banka Kombëtare te Banka e Shtetit
Ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore do të sillte edhe ndryshimin e sistemit ekonomik; një proces që do të reflektohej edhe në sistemin bankar dhe politikën monetare të vendit.
Me 13 janar të vitit 1945 u nxorrën dy ligje të posaçme, njëri për shtetëzimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe ligji organik mbi të cilin do të funksiononte Banka e Shtetit Shqiptar.
Pak ditë më vonë, me 22 janar të vitit 1945, Banka e Shtetit Shqiptar çeli degën e Tiranës dhe në muajt në vijim çeli edhe degët e tjera në qendra që përgjithësisht kishin qenë më parë degët e Bankës Kombëtare.
Shtetëzimi i bankës dhe ndryshimi i mënyrës së funksionimit të saj do të sillnin një Këshill të ri Administrativ, i cili do të gjendej para një sfide të madhe; jo vetëm të vendosjes së rregullimit të funksionimit në një bankë të sapodalë nga lufta, por edhe për ridrejtimin e qëllimit të saj në një ekonomi të centralizuar.
Këshilli vendosi që Banka e Shtetit Shqiptar të ishte Institut Shtetëror, funksionimi i të cilit të përputhej me parimin politik të të qenurit një mjet i fortë në duart e pushtetit për forcimin e sektorit ekonomik shtetëror.
Vendimi për rolin e ri që do të luante banka nuk do të kalonte pa debate dhe nuk munguan propozimet që banka t’i shërbente zhvillimit të sektorit privat dhe jo vetëm atij shtetëror.
Në fund të këtyre debateve, Banka do të ndalonte dhënien e kredive për sektorin privat, duke sanksionuar mbështetjen financiare vetëm për sektorin shtetëror që kishte nisur të kthehej në prioritetin kryesor të politikës së re qeverisëse të vendit.
Ndaj, një nga hapat e parë që u ndërmor ishte riemërimi i personelit, evidentimi i gjendjes së arkës dhe caktimi i kurseve të blerjes së arit e valutave të huaja.
Mangësitë e mëdha në rezervat e arkës së bankës do të zgjidheshin përmes disa hapave radikalë për kohën.
Hapi i parë ishte marrja e masave shtrënguese për kreditorët të cilët u detyruan që të paguanin këstet e kredisë.
Nga ana tjetër, u ndërmorën disa masa të shpejta që vendosën rend në qarkullimin e parasë.
Ristrukturimi i Bankës dhe rivendosja e marrëdhënieve me bankat ndërkombëtare
Paralelisht me stabilizimin e qarkullimit monetar, vetë banka kaloi në një proces transformues të brendshëm.
Në vitin 1946, Këshilli Administrativ vendosi organizimin e bankës me 4 Drejtori të rëndësishme; Drejtoria e Kontabilitetit, Drejtoria e Kredive, Drejtoria e Devizave dhe Drejtoria e Kreditit Agrar.
Me krijimin e shërbimit të Thesarit të Shtetit dhe me fillimin e funksionimit të kreditit agrar, Këshili Administrativ vendosi hapjen e 12 degëve të reja në qendrat kryesore të prefektura dhe nënprefekturave ku nuk ekzistonin si dhe tre arka shërbimi, respektivisht në Burrel,Krujë e Tropojë.
Po ashtu, Drejtoria e Kontabilitetit punoi intensivisht për mbylljen e llogarive të vjetra të ish Bankës Kombëtare, të Bankës së Napolit dhe Bankës Kombëtare të Punës që kishin ushtruar më herët aktivitetin e tyre në Shqipëri.
Po ashtu, marrëdhëniet e bankës shqiptare me bankat e jashtme që ishin vendosur në vitin 1945 dhe në fillim të vitit 1946 morën një zhvillim më të gjerë.
Bankat e para me të cilat u krijuan marrëdhënie që në vitin 1945 ishin Banka Kombëtare e Republikës Popullore të Jugosllavisë dhe Banka e Shtetit të Bashkimit Sovjetik.
Në fillim të vitit 1946 u vendosën marrëdhënie me disa banka amerikane dhe në muajin prill filluan veprimet e para.
Në vitin 1946, Banka e Shtetit Shqiptar vendosi marrëdhënie me bankat e poshtëshënuara:
Credit Suisse në Zyrih
Union de Banques Suisses Zurich
First National Bank of Chicago
First National Bank of Philadelphia
Irving Trust Company, New York
Publik National Bank në New York
Banque Commerciale Française du Commerce Exterieur Paris
Zivnostenska Banka Prague
Handelsnbankan Stockholm
Banque Nationale de Bulgarie Sofia
Credit Suisse në Zyrih
Union de Banques Suisses Zurich
First National Bank of Chicago
First National Bank of Philadelphia
Irving Trust Company, New York
Publik National Bank në New York
Banque Commerciale Francaise du Commerce Exterieur Paris
Zivnostenska Banka Prague
Handelsnbankan Stockholm
Banque Nationale de Bulgarie Sofia
Por..në këtë proces njohje, hasi vështirësi në njohjen nga Banka e Rregullimeve Ndërkombëtare, apo siç njihej ndryshe nga “Banka Qendrore e Bankave Qendrore” ku kishin mbetur 500 aksionet e blera në vitet ’30 nga Banka Kombëtare e Shqipërisë.
Rinjohja e aksioneve të Shqipërisë në Bankën e Rregullimeve Ndërkombëtare
Pas Luftës së Dytë Botërore, Banka e Rregullimeve Ndërkombëtare kishte marrë një rol të ri, të rëndësishëm, si institucion për pagesat ndërkombëtare mes shteteve.
Në këtë periudhë, sugjerohej që kjo bankë të shkrihej pasi e kishte mbyllur misionin e saj dhe ndërkohë ishin krijuar Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore por ridimensionimi i rolit të saj do të bënte që kjo bankë të arrinte në pikën që kishte trefishuar kapitalin e saj fillestar dhe numrin e aksioneve.
E në këtë kontekst, Shqipëria, që sapo kishte shtetëzuar Bankën Kombëtare duke e transformuar në Bankën e Shtetit Shqiptar, ndërmerr edhe kërkesën formale që 500 aksionet e dikurshme, t’i njiheshin si pronësi bankës së re të sapokrijuar por ende të panjohur zyrtarisht nga homologet e saj në shumë shtete.
Kërkesa u bë në vitin 1947 por njohja e aksioneve do të bëhej vetëm në vitin 1960. E gjithë kjo vonese erdhi edhe për vetë faktin se Italia kishte pretendime për pronat e saj në Shqipëri, e si rrjedhojë edhe për pronësinë mbi Bankën Kombëtare.
Ndaj, Banka e Rregullimeve Ndërkombëtare do t’i njihte pronësinë shqiptare të 500 aksioneve të Bankës Kombëtare vetëm pasi ishte zgjidhur çështja e detyrimeve të ndërsjellta të luftës mes Shqipërisë dhe Italisë.
Pas njohjes së aksioneve, delegacione shqiptare të Bankës së Shtetit do të merrnin pjesë në mbledhjet vjetore që zhvilloheshin në Bankën e Rregullimeve Ndërkombëtare e madje pala shqiptare me kalimin e viteve do të rriste edhe numrin e aksioneve të saj.
Mesatarisht, Shqipëria në vitet ’60 arkëtonte çdo vit rreth 20 mijë dollarë si divident nga pjesëmarrja në Bankën e Rregullimeve Ndërkombëtare që gëzonte një autoritet të padiskutueshëm në botën financiare.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme në qershor të vitit 1969, Banka e Rregullimeve Ndërkombëtare aprovoi rritjen e kapitalit nga 500 milion franga ar në 1.5 miliardë franga ar duke shtuar numrin e aksioneve të shpërndara nga 200 mijë në 400 mijë duke dyfishuar kështu parapagesë, numrin e aksioneve për çdo bankë aksionere.
Në këtë mënyrë, edhe në emër të Bankës së Shtetit Shqiptar u dyfishua pagesa dhe numri i aksioneve u rrit nga 500 në 1000.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në Asamblenë e 38-të të Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare në Zvicër
Me 10 qershor të vitit 1968 u zhvilluan punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare në selinë e saj në Bazel të Zvicrës.
Në këtë mbledhje, Shqipëria përfaqësohej në cilësinë e bankës aksionare, nga Drejtori i Bankës së Shtetit Shqiptar dhe një përfaqësues tjetër i shtetit shqiptar.
Në këtë periudhë, Shqipëria zotëronte 500 aksione, vlera e të cilave asokohe llogaritej rreth 400 mijë dollarë ndërsa përfitimi vjetor që merrte shteti shqiptare vlerësohej 15-20 mijë dollarë në vit.
Por si e tregon në relacionin e tij, drejtori i Bankës*, mënyrën sesi u prit Shqipëria në mbledhjen e Asamblesë së Bankës?
“Mbërritën më Bazel me datën 8. Me datën 8 muarëm pjesë në një pritje që dha Drejtori i Përgjithshëm dhe që efektivisht në këtë pritje hapet fillimi i punës.
Në këtë pritje, Drejtori i Përgjithshëm na uroi mirëseardhjen dhe çfaqi kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen tonë mbasi kishim disa vjet që nuk kishim marrë pjesë.
Vëmë në dukje se në përgjithësi pritja e jonë ishte korrekte, u zhvillua në mënyrë normale dhe ne patëm mundësi të takoheshim me shumë përfaqësues të bankave qendrore dhe të shkëmbenim mendime për një seri problemesh që na interesonin.
Me datën 10 u bë mbledhja e Asamblesë.
Pas mbledhjes në u takuam me Sekretarin e Përgjithshëm të Bankës, Antonio D’Aroma, italian, për të shfaqur mendime për disa probleme që na interesonin, kryesisht për gjendjen dhe perspektivën në fushën e valutave dhe në bazë të kërkesës së tij edhe me Drejtorin e Përgjithshëm Gabriele Ferras, francez.
Pritja ishte e ngrohtë. Drejtori i Përgjithshëm menjëherë na tha: Jemi mësuar t’a shikojmë bosh karrigen e Shqipërisë dhe nuk na vjen mirë, ndërsa tani u gëzuam që u pamë dhe shpresojmë që t’u shohim gjithnjë edhe në t’ardhmen…”.
Në përgjithësi ata çfaqën kënaqësi për pjesëmarrjen tonë duke çfaqur njëkohësisht mendimin e tyre që neve duhet të marrim pjesë rregullisht dhe çdo vit si anëtarë të vjetër që jemi të kësaj Banke ose sikundër bëjnë mjaft përfaqësues që vijnë shumë herë gjatë vitit.
Nga ana jonë ju dha përgjigjia se “marrëdhëniet tona me këtë bankë janë të kufizuara kështu që nuk na është paraqitur nevoja”.
*Relacion mbi pjesëmarrjen në asamblenë e 38-të të Përgjitshme të Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare në Zvicër
Banka e Shtetit Shqiptar, Tiranë 27.VI.1968
Përtej detajeve teknike që jepen për ecurinë e takimeve dhe diskutimeve në takimin e Bazelit, në fund të raportit jepen dhe disa konkluzione dhe propozime ku hidhet dritë për një projekt të shtetit shqiptar për t’i shitur aksionet e bankës.
Duhet evidentuar fakti se Bashkimit Sovjetik dhe vendet komuniste nuk ishin pjesë e Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare, çka do të bënte që prezenca e Shqipërisë të ‘stononte’ në këtë organizëm ndërkombëtar financiar nga pikëpamja ideologjike.
**“Konkluzione-Propozime. Në përgjithësi gjykojmë se pjesëmarrja në mbledhjen e Asamblesë së Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare ishte e drejtë dhe e dobishme.
Mendojmë që është mirë që Banka e Shtetit Shqiptar derisa t’i mbajë aksionet e veta në këtë bankë, ta shfrytëzojë më shumë dhe më mirë anëtarësinë e vet; në drejtim të informacionit të gjerë që kanë ata për çështjet që na interesojnë, në drejtim të ndërmjetësimit për probleme tregtare me Zvicrën dhe Vendet e Ulëta etj ashtu edhe në drejtim të sigurimit me leverdi të depozitave tona atje” .
**Relacion mbi pjesëmarrjen në asamblenë e 38-të të Përgjitshme të Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare në Zvicër
Banka e Shtetit Shqiptar, Tiranë 27.VI.1968
Po ashtu, zyrtarët e Bankës së Shtetit Shqiptar rekomandonin hapjen e llogarive bankare në Zvicër dhe për të siguruar atje disa depozita bankare që më parë siguroheshin në Francë.
Në vitin 1974 Shqipëria nis procesin e negociatave për shitjen e aksioneve të saj në Bankën e Rregullimeve Ndërkombëtare.
Në këtë periudhë, numri i aksioneve të Shqipërisë kishte arritur në 1 mijë me një vlerë nominale prej rreth 985 mijë dollarë.
Në këtë periudhë, Shqipëria përfitonte mesatarisht 20-22 mijë dollarë në vit dhe ndërkohë siguronte përfitime edhe nga depozitat që kishte hapur atje në dollarë amerikane. Për këto depozita, Shqipëria përfitonte interesa 5-6 % në vit.
Në këtë periudhë, pritej që të kishte sërish një rritje të aksioneve për të gjitha vendet pjesëmarrëse, përfshirë dhe Shqipërinë, si rrjedhojë e riinvestimit të fondeve të akumuluara.
Ndaj, zyrtarët e Bankës së Shtetit Shqiptar propozonin që Shqipëria të vijonte me rritjen e aksioneve të saj në Bankën e Rregullimeve Ndërkombëtare pasi të ardhurat që përfitonte nga dividentët e tyre, ishin shumë herë më e larta sesa të ardhurat që siguronin depozitat me afat.
***“Në bazë të statutit të Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare (B.R.I.), një bankë aksionere mund të autorizojë transferimin e aksioneve të saj një banke tjetër, pork jo varet nga pranimi i Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare, e cila ka të drejtë të refuzojë miratimin e këtij transferimi, pa treguar shkakun. Megjithatë ne mendojmë se nuk lind nevoja për largimin e Bankës sonë nga BRI-ja e për rrjedhim as për shitjen e aksioneve që disponojmë”
Tiranë, 26.6.1974
***Drejtoria e Përgjithshme e Bankës së Shtetit
Por pavarësisht këtij sugjerimi të Bankës së Shtetit Shqiptar, autoritetet e Shqipërisë vendosin që të largohen përfundimisht nga statusi i aksionerit në Bankën e Rregullimeve Ndërkombëtare duke hequr dorë nga aksionet në vitin 1977.
Pavarësisht këtij largimi, Shqipëria përdori gjatë periudhës së diktaturës dhe të izolimit, një seri llogarish bankare në bankat perëndimore, që i përdorte kryesisht në funksion të shkëmbimeve tregtare.
Ndërkohë, gjatë periudhës së regjimit komunist, Shqipëria anatemonte publikisht rolin e institucioneve financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar apo Banka Botërore.
Rikthimi i Shqipërisë në institucionet financiare ndërkombëtare do të bëhej vetëm pas rënies së regjimit komunist…
Sondazh
Gjimnazet dhe universitetet “keqpërdorin” nxënësit - Zyra e Komisionerit, hetim në 20 shkolla. Del me rekomandime unifikuese
Shkollat publike dhe private në vend përdorin rëndom rrjetet sociale për të pasqyruar aktivitete të zhvilluara, ndër të tjera, duke i ilustruar dhe publikuar......
Hekurudha Tiranë-Durrës, gati në mars 2025 - Liko: Janë kryer 70% e punimeve. Projekt shtesë për kthimin e stacionit në Tiranë
Punimet për rehabilitimin e linjës hekurdhore Tiranë – Durrës dhe degëzimit të ri drejt aeroportit të Rinasit kanë arritur në masën 70%. Gentian Liko, nga......
Barra e tatimit, bizneset po rrisin çmimet e shërbimeve - Tabaku, në Gjykatën Kushtetuese: Në 4 muaj janë mbyllur 3600 subjekte
Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese argumentet që mbështesin padinë mbi ligjin e taksimit të profesionistëve të lirë. Deputetja Demokrate,......
Miratohet kredia për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit - MIE, Muça: Detajet e projektit. Studim i ri, edhe për Rrogozhinë-Lin
Komisioni parlamentar për Çështjet Evropiane ka miratuar marrëveshjen e kredisë prej 98.75 mln euro me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për......
1 milion euro në vetëm 11 ditë - Evazion, konfuzion dhe protesta: Sa efektive është taksa e re turistike e Venecias?
Më 25 prill, Venecia filloi një tarifë hyrjeje për udhëtarët ditorë në qytetin e saj. Periudha e provës për këtë tarifë mbulon 29 ditë në maj, qershor dhe......
Çmimet e Ryanair, të ulëta edhe këtë verë - O'Leary: Një “ndjesi recesioni” mund të kufizojë rritjen e tarifave
Drejtori i Përgjithshëm i Ryanair, Michael O'Leary, tha se një "ndjesi recesioni në Evropë" mund të jetë një faktor në rritjen më të ngadaltë të çmimeve të......
Dhoma Ekonomike Kombëtare forcon biznesin? - Hoxha: Dhomat e tregtisë e kundërshtuan. Na kthen një hap pas
Ndonëse disa dhoma ekonomike kundërshtuan krijimin e një Dhome Ekononmike Kombëtare, projektligji është hedhur për konsultim publik. Kreu i Dhomës Britanike......
Cilat vende “braktisën” produktet “Made in Albania”? - Italia dhe Mali i Zi, shtetet me rënien më të madhe të eksporteve në Prill
Përgjatë prillit të këtij viti eksportet e mallrave arritën vlerën 35 mld lekë, duke u rritur me 1.8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë......