Si bëheshin votimet në Shqipërinë e vitit 1923! Nga vota e grave dhe me sfera, te gjoba për ata që nuk paraqiteshin për të votuar. Detajet e procesit zgjedhor që prodhoi ngjarjet e vitit 1924
Nga SCAN TV
Nga Kreshnik KUÇAJ/SCAN
Një nga zgjedhjet më problematike në historinë e Shqipërisë janë edhe ato të vitit 1923. Këto zgjedhje dhe problematikat e tyre prodhuan ngjarjet e vitit 1924 në Shqipëri, ku pas vrasjes së Avni Rustemit e protestave të shumta u realizua edhe ai që njihet si Revolucioni i Qershorit 1924 që solli në pushtet Fan Nolin e largoi për herë të parë nga Shqipëria Ahmet Zogun.
Por edhe pse mund të konsiderohen si një ndër proceset zgjedhore ndër më problematiket në historinë e Shqipërisë, por ashtu mund të thuhet edhe se para tyre janë zhvilluar diskutimet më të përparuara në historinë e vendit, sa i përket standarteve që duhej të kishin zgjedhjet në Shqipëri.
Për herë të parë, në përgatitjet e zgjedhjeve të vitit 1923 u diskutua për votën e grave; një diskutim pararojë për faktin se në atë kohë shumë vende të zhvilluara të botës nuk kishin arritur ende as në nivelin e diskutimit.
Po ashtu, u diskutua edhe për ndarjen e policisë dhe ushtrisë nga zgjedhjet, për të eleminuar ndikimin e pushtetit në procesin zgjedhor si dhe për garantimin e lirisë së votës për një sistemit të ri votimi me saçme.
Pavarësisht nivelit të lartë të diskutimeve, muajt e mëvonshëm kur u zhvilluan zgjedhjet, treguan se politika shqiptare e atyre viteve, nuk kishte arritur ende me vepra, në nivelin e standarteve që mbroheshin me fjalë në seancat maratonë të shtatorit të vitit 1923.
Votimi i grave
Në shtatorin e vitit 1923, në parlamentin shqiptar diskutohen dy projekte për zgjedhjet e ardhshme. Projekti i qeverisë në thelb parashikonte votimin me letra, votimi me delegim dhe disa ndryshime të tjera që lidheshin me organizimin e zgjedhjeve.
Ndërsa projekti i Komisionit Parlamentar të Drejtësisë ishte më i avancuar dhe parashikonte disa risi, të pamendueshme për kohën kur propozoheshin ato. Ndaj edhe ky projekt merr më shumë diskutime.
Në seancën plenare të 21 shtatorit të vitit 1923, ora 10:00 paradite diskutohet raporti i komisionit të drejtësisë dhe administratës në të cilën u sollën disa amendime në ligjin për zgjedhjet.
Tre pikat më të debatueshme ishin sistemi i ri i votimit me saçme (sfera), largimi i xhandarmërisë nga procesi zgjedhor për të shmangur ndikimin si dhe votimi i grave.
Në propozim parashikohej që në listën e amendimeve për ligjin e zgjedhjeve, të sanksionohej edhe e drejta që gratë që dinin të shkruanin e të lexonin, të kishin të drejtë që të merrnin pjesë në zgjedhjen e zgjedhësve të dytë.
Në atë kohë, populli votonte me sistemin e zgjedhjeve të dyta, ku zgjidhte fillimisht disa delegatë të cilët më pas votonin për zgjedhjen e deputetit të zonës së tyre.
Në këtë rast, diskutimi ishte që gratë të kishin të drejtë të zgjidhnin personat që do të votonin për deputetët e rinj.
Një nga mbështetësit më të mëdhenj të së drejtës së votave të grave është Visarion Xhuvani, fjalimi i të cilit merr edhe duartrokitje në seancë plenare.
Megjithatë, Xhuvani e konsideron si të parakohshme të drejtën e votimit të grave dhe për këtë jep si argument faktin se janë shumë pak gra që dijnë të shkruajnë e të lexojnë dhe sipas tij, as ¼ e tyre nuk do të shkojnë të votojnë.
Ndërkohë, Hil Mosi në fjalën e tij shkon dhe më tej duke kërkuar që grave shqiptare t’u jepet e drejta që plotë e votës, pra jo vetëm që të zgjedhin votuesit e deputetëve por të jenë edhe zgjedhëse direkte, pra të kenë të drejtën e përfaqësimit në listën e atyre që do të zgjedhin deputetët.
Luigj Gurakuqi sjell propozimet e komisionit ndërsa kishte edhe një projekt të qeverisë për këto zgjedhje.
Visarion Xhuvani: Unë tham qi po nuk patëm nana të mira, ska kush interesohet qi të kemi kryetar të mirë të shtetit. Posë kësaj arsye, kam edhe nji tjetër qi m’urdhnon aj kryetar i Fesë time i cili thotë të gjithë janë nji soj. Pra edhe grat do të nderohen. Po sa gra do të kemi qi dijnë me shkrue e me kendue? Ministria e Arsimit nuk ka të tilla statistika. N’atë sasin e gravet qi dijnë me shkrue e me këndue edhe prej atyne ¼ nuk do të shkojnë me votue. Prandaj për sot asht nji komedi votimi i gravet. Hil Mosi: Tue folë mbi mëndyrën e lirë të votimit, projekti i qeverisë ja mohon votën grave, nuk dijmë për ç’arsye. Na shofim kombe, si Turkija qi asht e përbame prej elementit musliman e qi lirija e gravet muslimane asht mjaft e ngushtueshme, kanë sjellë përparime sa në parlamentin e Angorës kemi edhe gra si përfaqësuese. Unë për vedi kisha me u dhanë liri të plotë grave edhe për zgjedhës të dytë, se kemi gra qi jaën shumë ma të përparueme sesa disa burra. Risia e votimit me saçme
Një propozim tjetër për zgjedhjet e vitit 1923 ishte mënyra e votimit. Në këto zgjedhje, projekti i opozitës parashikonte që votimi të bëhej me saçme.
Pra, ishte një mënyrë votimi ku votuesi merrte një sferë në dorë, mbyllte dorën dhe pastaj e fuste dorën në kutitë që ishin me emrat e kandidatëve.
Në mënyrë të fshehtë, e hidhte sferën në kutinë e kandidatit që dëshironte. Kjo mënyrë votimi zgjidhte problematikën e nivelit arsimor të votuesve, pasi nuk kërkonte domkosdoshmërinë e të diturit për të lexuar apo për të shkruar.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e qeverisë në parlament e kundërshtojnë këtë projekt për faktin se votimi me letër ishte më i përshtatshëm dhe nuk lejonte manipulimin e zgjedhjeve.
Koço Tasi: Qeveria në projektin e sajë ka adopte sistemin e letrave i cili pat kenë edhe parandej në veprim e pat lujt rolin e parë.Ky sistem nuk siguron votën e pësheht gjë të cilën e parashikjon edhe projekti i qeverris. Kjo ashtë vetëm në teori e po ta marrim në praktikë nuk ka me kënë votim i pësheht. Aj votues o nga friga o nga miqësija do të jetë i detyruem që të tregojë se kë po zgjedh. Kjo pikë asht kundra principit të peshehtësisë qi ka caktue qeverria. Pra me shumicë votash, u caktue prej komisionit sistemi i saçmavet. Ky sistem asht në kët mënyrë: Ashtë nji ark në mes e ndame. Njëna anë asht me bojë të bardhë e tjetra me bojë të zezë. Ka nji grykë në të cilën njeriu fut dorën dhe nuk duket se nga erdhë e shtje saçmen n’atë anë qi don ai. Ky asht sistemi i saçmavet qi asht i përdorun edhe ndër fqinjtë tonë. Çdo person do të ketë nji kuti.Me gjithë qi nuk siguron idealin tonë edhe ky sistem, me gjithë të e kemi panue se asht shum ma i mirë se sistemi i letravet. Luigj Gurakuqi: Koço Tasi e shpjegojë shum bukur kët sistem, po më duket se la diçka pa përmend. Aj thotë se në të projektet vota do të jetë e mëshehtë. Sikurse e dini shum mirë qi në votime do të marrin pjesë edhe burrat qi nuk dijnë me shkrue e me këndue. Duke përdorun kët sistem, aj voton vet e nuk asht nevoja qi ti siellet nji tjetri e kështu pra votimi do të bëhet me të vërtet i mëshehtë. Ali Këlcyra: Po të marrin provincën time, Gjinokastrën, atje nuk do të gjejmë ma tepër se ndër 1000 vetë nji të dijë me shkrue e me këndue. Tue qenë kështu me sistemin e qeverris qi e kërkon me bileta, kanë me u bas hum abuzime. Me sistemin e saçmavet kemi dy fitime, se asht e mirë hem për atë qi ka kurajo yë votoj për kë të do jai, hëm për atë qi asht i shtypun prej tjetër kuj se duke shti dorën aty i thotë se votova për ju e në të vërtet ka votue për atë qi do aj vet. Pra kjo tue qenë se asht nji çashtje vitale, duhet deomos të merret para sysh. Visarion Xhuvani:Edhe mue më pëlqejnë saçmat por nuk di a ka arrijtë populli qi ta kuptojë këtë sistem. Unë nuk e kuptoj pse insistojnë zotnit e opozitës për kët sistem. Populli me e pas menden me i zgjedhë, ka më i zgjedhë si me saçmat e si pa saçmat. Në kohë të zgjedhjevet, do të dallin shumë lista me emna kandidatësh. Njëni do t’i thotë katundarit voto për këtë, tjetri për këtë e nji tjetër përsëri për nji tjetër. Kështu qi katundari duhet qi të ketë jo vetëm dy veshë, po gjashtë. Prandaj tham qi kjo e saçmavet asht nji gja e zorshme e duhet qi të gjindet nji mënyrë tjetër. Bahri Omari:Në njënën anë thuhet se duam të sigurojmë lirinë e mëshehtësisë së votës, në tjatrën anë i kundërshtohet sistemit të shasmavet. Neve tregojmë një mënyrë qysh e qysh mund të sigurohet më mirë kjo liri. Mospranimi i kësaj mënyre domethënë se do të pranohet mënyra tjetër. Milto Tutulani(Ministër Drejtësisë): Një nga pikat e komisionit është pika e saçmavet, e cila siguron lirinë e popullit, thonë kundërshtarët. Se biletat qi ka projekti i qeverisë e humbin popullin dhe absolutizma e han. Atje ku kanë marrë sistemin e saçmavet e ku kanë sistemin e mëshehtë e kanë marrë se populli është iu paditun e sdi të shkruaj e të këndojë. Mënyra që harton komisioni nuk i përgjigjet kësaj të drejte, pse atje ku kanë sistemin e saçmavet, vota ëhstë direkte kurse këtu vota është indirekte. Sistemi i saçmavet nuk ka një kontroll më të madh se sistemi i biletave , përkundrazi. Sistemi i votimit me bileta është adoptuar edhe në Francë, dhe vota me bileta është e mëshehtë dhe qeverija s’mund të bëjë asnjë kontroll se vota epet e mbyllun.
Përtej debateve që zgjatën disa ditë në parlamentin e asaj kohe, të dy propozimet e opozitës si për votën e grave ashtu edhe për votimin me saçme u rrëzuan. Në fakt, të dy projektet do të realizoheshin vetëm në zgjedhjet e para të pasluftës nga Partia Komuniste që erdhi në pushtet.
Votimet u zhvilluan në dhjetorin e vitit 1923, pak muaj pasi parlamenti miratoi ligjin e ri elektoral ku u refuzuan propozimet për votimin me saçme dhe votimin e grave.
Zgjedhjet e atij viti u zhvilluan më tensione të mëdha që në fakt u reflektuan në një klimë politike të destabilizuar.
Në seancat plenare të janarit të vitit 1924, opozita denoncoi në parlament të gjitha shkeljet që kishin ndodhur për zgjedhje.
Në seancën e 23 janarit të vitit 1923, tre deputetë Mufid Libohova, Vasil Dilo dhe Elmas Kokona paraqesin një raport për problematikat e zgjedhjeve të dhjetorit të vitit 1923. Referuar raportit të paraqitur pretendohej se oficerët e xhandarmërisë ishin përdorur për të ndikuar në rezultatin zgjedhor.
Po ashtu, pretendohej se ishin anuluar votat e zgjedhësve të dytë e deri aty sa ishin detyruar disa votues që të shkonin në zyrën e kandidatit të qeverisë që të dorëzonin fletën e votimit e cila u shkruhej për kandidatin qeveritar dhe pastaj u hidhej në kuti. Në fund të numërimit, në disa kuti kishin rezltuar më shumë vota sesa numri i votuesve.
Në disa raste kishte ndodhur që kutia e votimit ishte hapur për t’u numëruar në mes të procesit zgjedhor ndërsa shumë votues para se të hidhnin votën kishin marrë pjesë nëpër darka pa shpenzime që ofroheshin në hotele nga përfaqësues të pushtetit.
Në këtë mënyrë, seancat e para të parlamentit të ri të dalë nga zgjedhjet e 1923 kalojnë në diskutime të tensionuara ku deputetë të ndryshëm paraqesin provat e tyre.
Dorëzimi me protestë nga mandati i deputetit i Faik Konicës
Situata tensionohet aq shumë sa nuk mungojnë as dorëheqjet e deputetëve të ndryshëm. Në ligjin e kohës, në parlamentin shqiptar zgjidheshin edhe disa deputetë si përfaqësues të diasporës shqiptare. E një ndër ta, përfaqësues ishte zgjedhur edhe Faik Konica.
Në seancën e 12 marsit të vitit 1924, diskutohet një letër që Faik Konica i kishte dërguar parlamentit.
Në këtë letër njoftohej dorëheqja e tij si deputet. Është pikërisht kjo letër që përmbledh debatet e forta rreth asaj që pretendohej se kishte ndodhur në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 1923.
“Kuvendit Themeltar në Tiranë.
Zoti Kryetar.
Shumica e popullit e ka shfaqur sheshit se dëshiron ndryshime sociale me themel.
Por zgjedhjet e bëra nën frikësimet qeveritare dhe nën hijen e vrasjeve nxuarrën në Kuvend një shumicë e cila mundohet të ruaj fabrikën sociale të vjetër që ka lënë popullin në errësirë e në varfëri.
Një kuvend themeltar i atillë nuk përfaqëson popullin por nji klasë parazitash. Prandaj kam nderin të ju paraqes dorëheqjen time si deputet i Kuvendit.
Mjerimet që gatuani kundër popullit qofshin mbi krye të shumicës vetëzgjedhur të këtij kuvendi shkatërronjës”.
Kuvendi pas pak debatesh, vendos të miratojë dorëheqjen e Konicës.
Dorëheqja e Konicës pasohet pak muaj më vonë edhe nga dorëheqja e Eshref Frashërit, deputetit të Korçës, nga kryesia e Kuvendit Kushtetues.
Motivi i dorëheqjes që Frashërit, sikurse shkruhej në letrën e dorëheqjes, ishte se ai ishte i lodhur nga kjo detyrë.
Tensionet vazhduan deri qershorin e 1924 kur vrasja e Avni Rustemit dhe nisja e revoltës popullore prodhoi atë që u emërtua Revolucioni i Qershorit.
Dy idetë e hedhura në vitin 1923, për votimin e grave dhe për votimin me saçme, do të aplikoheshin në zgjedhjet e vitit 1945, kur në pushtet sapo kishin ardhur komunistët.
Çfarë parashikonte ligji zgjedhor i 1923
Ligji zgjedhor i vitit 1923, që u aplikua më pas në procesin e dhjetorit të këtij viti, parashikonte se zgjedhjet do të bëheshin me votim të tërthortë; pra votuesit e parë zgjidhin delegatët që do të votonin për deputetët e qarkut të tyre.
Referuar këtij ligji, për çdo 8 mijë banorë, do të zgjidhej 1 deputet. Secila prefekturë e vendit, konsiderohej një qark elektoral.
Zgjedhës i parë ishte çdo shtetas shqiptar mashkull që kishte mbushur moshën 18 vjeç.
Por për të votuar, ligji parashikonte disa kushte dhe jo të gjithë e kishin të drejtën e votës. Parimi që ndiqej ishte që të drejtën e votës ta kishte ai që jep një kontribut në shoqëri. E si rrjedhojë, nga e drejta e votës përjashtoheshin ata që kishin kryer krime, ata që nuk ishin të aftë mendërisht, apo edhe ata që nuk kishin marrë atë që emërtohej “kthim i të drejtave qytetnore” apo rehabilitim.
Po ashtu, përjashtoheshin nga e drejta e votës lypësit, ushtria dhe çdo agjent policie. Ditën e votimeve, ushtarët dhe policia duhej të qendronin të mbyllur nëpër kazerma dhe të mos përfshiheshin në procesin zgjedhor. Po ashtu, ligji përcaktonte në mënyrë të detajuar përbërjen e komisioneve zgjedhore. Këto të fundit kryesoheshin nga gjykatësit më të lartë dhe kishin në përbërje anëtarët e këshillave të bashkive.
Fletët e votimit ishin disa bileta uniforme të bardha me gjatësi e gjerësi 12 centimetra që kishin sipër vulën e bashkisë. Procesi i votimeve niste ne orën 09:00 të mëngjesit dhe mbyllej në 17:00 të pasditës.
Në ligjin elektoral të vitit 1923, parashikoheshin penalitete të rënda pë rata që krijonin incidente apo tentonin të manipulonin procesin zgjedhor.
Një nga pikat më të forta të këtij ligji, ishte ajo që lidhej me të drejtën e ushtrimit të votës. Çdo zgjedhës i dytë i mandatuar për të zgjedhur deputetët, në rast se nuk shkonte të votonte dhe nuk kishte një arsye të qenësishme, dënohej me gjobë 10-50 franga ari.
Zgjedhjet e vitit 1923, konsiderohen si zgjedhjet e fundit të lira të zhvilluara në Shqipëri deri në vitin 1991. Në këto zgjedhje, Partia e drejtuar nga Fan Noli mori 35 mandate, grupi i Ahmet Zogut 26 mandate ndërsa Partia Popullore 20 mandate. 14 mandate i morën kandidatë të pavarur.
Rreth 17.3 mln lekë pritet të kushtojë studimi i fizibilitetit pët Auto Moto Parkun, që parashikohet të ndërtohet në qytetin e Elbasanit. Pas shpalljes së......
Viti 2023 ka nisur me një numër të lartë të bizneseve të cilat kanë ndërprerë aktivitetin e tyre. Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të......
Muaji mars ka rezultuar të jetë një nga muajt me më tepër ankesa në Prokurimet Publike. Të dhënat e Buletinit mujor raportojnë se 69 ankesa janë konstatuar......
Zgjedhjet e 14 majit përqendruan vëmendjen jo vetëm tek procesi i votimit por edhe tek fakti se sa të shëndetshme janë bashkitë aktuale sa i takon mbledhjes së......
Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri thirrje për kujdes të martën në përdorimin e inteligjencës artificiale për kujdesin shëndetësor publik, duke thënë se......
Mendoni të ndryshoni punë apo të transferoheni diku? Vëzhgoni distancën që do t'ju duhet të udhëtoni për të arritur në zyrë, sepse nuk janë vetëm punët e ulura......
Amerikanët po i mbajnë automjetet e tyre me motor me djegie më gjatë, sipas një studimi të ri.
Mosha mesatare e makinave dhe kamionëve të lehtë në SHBA këtë......
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy u dënua në apel me tre vjet burg, dy vjet me kusht, për një vepër korrupsioni të kryer në vitin 2014, i njëjti dënim me......
Hendeku gjinor i pagave është ende shumë i dukshëm në Europë. Disa tregues tregojnë pabarazinë midis grave dhe burrave në shumë fusha, por jeta ekonomike......
Tani TikTok duhet të lëvizë shpejt me një kërkesë në Gjykatën e Lartë për të bllokuar ose përmbysur një ligj që do t'i kërkonte kompanisë mëmë kineze......
Ilaçet e reja mund të jenë një mjet shpëtimi për miliona pacientë, por gjatë dy dekadave në Angli, shpenzimet publike për to erdhën me kompromise të......
Kushtet e strehimit janë një element thelbësor i mirëqenies sociale dhe ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së njerëzve. Në Shqipëri, analiza e......
Hendeku gjinor i pagave është ende shumë i dukshëm në Europë. Disa tregues tregojnë pabarazinë midis grave dhe burrave në shumë fusha, por jeta ekonomike......
Tani TikTok duhet të lëvizë shpejt me një kërkesë në Gjykatën e Lartë për të bllokuar ose përmbysur një ligj që do t'i kërkonte kompanisë mëmë kineze......
Ilaçet e reja mund të jenë një mjet shpëtimi për miliona pacientë, por gjatë dy dekadave në Angli, shpenzimet publike për to erdhën me kompromise të......
Kushtet e strehimit janë një element thelbësor i mirëqenies sociale dhe ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së njerëzve. Në Shqipëri, analiza e......
Vetëm shtatë vende në botë arritën nivele të sigurta të ndotjes së ajrit në vitin 2023, sipas një raporti nga kompania zvicerane e teknologjisë së cilësisë......