Shqipëria Postuar më 25 Nëntor 2025, 11:27

Nuk ndalen pagesat në euro me AIPS - Në 10 muaj u procesuan 323 mijë transaksione. Kursime të mëtejshme për qytetarët

Nga Ledina Elezi

Nuk ndalen pagesat në euro me AIPS - Në 10 muaj u procesuan 323

Me AIPS, SEPA dhe së shpejti sistemin instant payment, pagesat po bëhen gjithnjë e më të thjeshta, më të shpejta dhe më të lira. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, shuma e pagesave në euro të kryera me sistemin AIPS ka pësuar një rekord të ri në muajin tetor.

Numri i pagesave të kryera brenda vendit me sistemin AIPS EURO arriti në 323 mijë në fund të dhjetëmujorit. Shifrat tregojnë se tetori rezulton të ketë shënuar rekord sidomos për sa i përket shumës së pagesave në euro, të cilat arritën në 636 milionë, ndërsa numri i transaksioneve ishte 38 mijë.

Nëse bëjmë një krahasim me periudhën janar-tetor 2024, numri i pagesave të realizuara me AIPS EURO ka pësuar një rritje me 22%, ndërsa edhe shuma e tyre rezulton gjithashtu me një rritje prej 21%. Gjithsej, shuma e transaksioneve të kryera me AIPS arriti në 5.1 miliardë euro në janar-tetor 2025.

Pas një rënieje në muajin gusht, AIPS rezulton të jetë rimëkëmbur në muajt në vijim.

Që prej fillimit të funksionimit të tij në vitin 2022, AIPS Euro ka siguruar kursime të konsiderueshme për qytetarët shqiptarë. Me sistemin kombëtar AIPS Euro, u përcaktuan disa komisione tavan për transfertat kombëtare në euro, duke ulur ndjeshëm kostot për qytetarët në kryerjen e pagesave në euro brenda vendit. Funksionimi i sistemit të pagesave AIPS Euro u ka kursyer bizneseve dhe qytetarëve mbi 37 milionë euro në 2023-in. Deri në fund të 2024, kursimet përllogariteshin në përafërsisht 100 milionë euro.

Sistemi Shqiptar i Pagesave Ndërbankare AIPS përdoret nga bankat për të transferuar në kohë reale shuma të mëdha parash me njëra-tjetrën.

AIPS-EURO përdoret nga qeveria për të shlyer borxhin e jashtëm, nga bizneset e mëdha për të shlyer fatura në vlera shumë të larta dhe nga vetë bankat. Megjithatë, AIPS shpejton në mënyrë indirekte edhe transaksionet për qytetarët, veçanërisht kur bëhet fjalë për shuma të mëdha parash.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat