Kosova Postuar më 25 Nëntor 2025, 11:28

Investimet jashtë Kosovës rriten me 55% - Shkak, burokracia, mungesa e digjitalizimit dhe çmimet e larta të energjisë

Nga Kristi Ceta

Investimet jashtë Kosovës rriten me 55% - Shkak, burokracia, mungesa e

Bizneset kosovare po zgjerojnë gjithnjë e më shumë aktivitetin e tyre jashtë vendit, duke parë mundësi më të sigurta dhe më fitimprurëse në tregjet e rajonit. Ky trend reflektohet qartë edhe në statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), të cilat tregojnë rritje të ndjeshme të investimeve direkte jashtë vendit.

Sipas BQK-së, gjatë gjysmës së parë të këtij viti, investimet direkte të kosovarëve jashtë Kosovës arritën në 166.6 milionë euro - një rritje prej 55% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, kur shuma ishte 107 milionë euro.

Për krahasim, vlera e këtyre investimeve ishte 59.1 milionë euro në vitin 2020, u rrit në 100.3 milionë euro në vitin 2021 dhe vazhdoi të ngjitej deri në 224.3 milionë euro në vitin 2024.

Sipas Institutit për Studime të Avancuara - GAP në Prishtinë, vetëm vitin e kaluar kosovarët investuan mbi 80 milionë euro në Shqipëri, ndërsa në vitin 2023 mbi 95 milionë euro. Në Mal të Zi, ndërkaq, investimet e tilla në vitin 2024 kapën vlerën e 18.2 milionë eurove.

Ekspertët dhe përfaqësuesit e bizneseve e shohin si shqetësuese rritjen e investimeve jashtë Kosovës. Ata paralajmërojnë se ky trend mund të intensifikohet, nëse nuk merren masa urgjente. Sipas tyre, burokracia, mungesa e digjitalizimit dhe çmimet e larta të energjisë po i shtyjnë bizneset drejt tregjeve të tjera.

Ata rikujtojnë edhe daljen e kompanive të mëdha në tregun e hapur të energjisë, më herët këtë vit. Kjo ka bërë që çmimi i rrymës për to të shtrenjtohet dhe ato të bëhen më pak konkurruese në treg, krahasuar me vendet e rajonit.

Përveç daljes së kapitalit financiar, Kosova humb edhe nga të ardhurat doganore, Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, tatimi mbi fitimin e korporatave, si dhe tatimet dhe kontributet pensionale, të cilat përfundojnë në shtetet ku kompanitë operojnë.

Për më tepër, këto biznese shpesh kthehen edhe si konkurrentë të drejtpërdrejtë në tregun vendor.

Varësia e Kosovës nga importi, ndërkaq, vazhdon të rritet. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vitin e kaluar importet kapën vlerën e mbi 6 miliardë eurove, ndërsa eksportet rreth 900 milionë euro.

Ekspertët kërkojnë mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorin privat, veçanërisht për industrinë prodhuese, si dhe digjitalizim të shërbimeve përmes modelit “one stop shop”.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat