Shqipëria Postuar më 19 Korrik 2024, 18:27

Shqipëria, kampione në digjitalizimin e shërbimeve publike. E para në rajon me 1237 shërbime të ofruara online për qytetarët dhe bizneset

Nga SCAN TV
Shqipëria, kampione në digjitalizimin e shërbimeve

Shqipëria mban vendin e parë në rajon sa i takon numrit të lartë të shërbimeve publike që ofrohen përmes platformës digjitale qeveritare e-Albania. Sipas raportit më të fundit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), vendi ynë ofron rreth 1 237 shërbime online për qytetarët, bizneset dhe administratën publike.

Të gjitha këto shërbime janë në nivelin e katërt të zhvillimit, që do të thotë se ato janë plotësisht transaksionale, pra në sistem përfshihet firma elektronike dhe kryerja e pagesave elektronike.

Shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor si Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, ofrojnë secili më pak se 400 shërbime publike online, duke e vendosur kështu Shqipërinë në krye të listës për kalimin online të pothuajse të gjitha shërbimeve publike.

Serbia ka tejkaluar paksa mesataren e BE-së lidhur me përqindjen e individëve që përdorin internetin për të ndërvepruar me autoritetet publike, ndërkohë që Shqipëria po i afrohet nivelit të saj. Ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor mbeten më mbrapa, me Kosovën që vjen e fundit në rajon. Sipas raporteve të monitorimit të OECD SIGMA, kënaqësia e përdoruesve në lidhje me shërbimet elektronike ishte e ulët apo edhe në rënie në vendet e rajonit, me përjashtim të Shqipërisë.

Sfidat e lidhura me qeverinë digjitale janë mospërdorimi i këtyre platformave për shkëmbimin e të dhënave ndërmjet organeve publike dhe një ritëm të ngadaltë në lidhjen e sistemeve të informacionit të administratës publike, si dhe digjitalizimi i regjistrave publikë. Shqipëria dhe Serbia dallohen midis shteteve të Ballkanit Perëndimor për sa i përket ndërlidhjes së sistemeve të informacionit publik me platformat e tyre qeveritare. Në fund të vitit 2023, Shqipëria kishte lidhur rreth 60 sisteme informacioni dhe 230 institucione publike (kryesisht nga qeveria qendrore) me portalin e-Albania.

Vendi ynë ka investuar shumë në digjitalizimin e shërbimeve publike për qytetarët dhe bizneset, duke përshpejtuar kështu transformimin digjital, me qëllim afrimin drejt Tregut Unik Digjital të Bashkimit Evropian.

Ledina Elezi/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat