Shqipëria Postuar më 19 Korrik 2024, 14:30

Pronat, edhe 5 muaj kohë për dosjet pa vendim. Në fund të dhjetorit skadon afati 2-vjeçar për trajtimin e mbi 7 mijë kërkesave

Nga SCAN TV
Pronat, edhe 5 muaj kohë për dosjet pa vendim. Në fund

Vetëm pak muaj kanë mbetur për shqyrtimin e dosjeve pa vendim, duke qenë se në fund të dhjetorit skadon edhe afati ligjor për trajtimin e tyre. Me rihapjen e afatit në vitin 2022, Agjencia e Trajtimit të Pronave ndërmori angazhimin për të rimarrë në shqyrtim më shumë se 7 mijë dosje të patrajtuara në fazën e parë (2016-2019).

Por teksa ka kaluar më shumë se një vit e gjysmë, nuk ka ende asnjë vendimmarrje nga ana e ATP-së për këto aplikime, të cilat vijojnë të mbeten sirtareve të agjencisë. Çfarë ka vonuar procesin kanë qenë, veç të tjerash, edhe betejet ligjore.

Ligji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë”, i kontestuar nga grupet e interesit dhe opozita është dërguar disa herë në Gjykatën Kushtetuese. Me rishikimet që i janë bërë bazës ligjore, thelbi ka mbetur i njejtë, thënë kështu formula e kompensimit nuk ka ndryshuar.

Ajo ç’ka vlen të theksohet është se nëse Agjencia e Pronave, nuk arrin të përmbushë, brenda 5 muajve detyrimin, pronarëve iu lind e drejta t’i drejtohen Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë, për të kërkuar vlerësimin financiar.

Me skemën e re, vlerësimi i pronës bëhet bazuar në zërin kadastral që ka në momentin e konfiskimit, por në asnjë rast pronarët nuk do të përfitojnë më pak se 10 për qind të vlerës që ajo ka sot në treg.

Gjithsej janë më shumë se 20 mijë vendime në pritje të ekzekutimit. Por megjithëse kanë kaluar thuajse 8 vite nga reforma e ndërmarrë në 2016, vetëm një numër i ulët pronarësh kanë arritur të përmbyllin këtë proces. Pjesa më e madhe prej tyre, kanë zgjedhur që të marrin deri në 40 për qind të faturës apo të vlerës së kompensimit dhe të heqin dorë nga pjesa e mbetur.

Ada Hazizolli/SCAN 

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat