Shqipëria Postuar më 20 Maj 2024, 13:42

Shqipëria i rikthehet prodhimit të armëve - Pr/ligji, gati krijimi i shoqërisë shtetërore “KAYO sh.a.”

Nga SCAN TV
Shqipëria i rikthehet prodhimit të armëve - Pr/ligji, gati

“Shqipëria është nga vendet e pakta në rajon që e ka të fjetur industrinë ushtarake. Ka nevojë për investime, investitorë, ndërmarrjet shtetërore i kemi në proces transformimi në Sh. A. për ta riaktivizuar përmes investimeve për të zhvilluar industri. Tani jemi edhe më të qartë për të negociuar. Ne duhet të ndryshojmë qasjen, nga “Shqipëria 1 euro” të “Shqipëria partnere”, tha ai.

Nëpërmjet kësaj deklarate rreth një muaj më parë, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i parapriu “rizgjimit” të industrisë se prodhimit të armëve ushtarake në Shqipëri. Ndërkohë, sapo ka dalë për konsultim publik projektligji “Për krijimin e shoqërisë shtetërore për prodhimin dhe tregtimin e armëve, municioneve, pajisjeve dhe teknologjive ushtarake”. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, që është edhe hartuesja e këtij dokumenti, projektligji ka për qëllim të shërbejë si akt themelimi për shoqërinë “KAYO sh.a”.

Nëpërmjet kësaj nisme bëhet e mundur krijimi i një strukture të re në formën e një shoqërie tregtare më të gjitha kapacitetet e nevojshme për të ndërvepruar në tregun e sotshëm kombëtar dhe ndërkombëtar. “Vetëm përmes një shoqërie të tillë mund të aktivizohen dhe funksionojnë mekanizmat e nevojshëm për rivitalizimin e kapaciteteve të trashëguara të industrisë ushtarake, -në kuadrin e dinamikave aktuale në ambientin ndërkombëtar strategjik të sigurisë, vendimet dhe standardet e NATO-s”, theksohet në relacionin e projektligjit.

Gjithashtu ky proces ka për qëllim të nxisë inovacionin dhe zhvillimin teknologjik në fushën e industrisë së mbrojtjes, nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë me sektorin privat.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, me anë të kësaj nisme ndërmerret hapi i parë drejt rivitalizimit të industrisë ushtarake. Në këtë mënyrë, Shqipëria forcon pozicionin e saj strategjik në rajon, duke u bërë një aktor më i rëndësishëm në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, e përqasur me objektivat e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Shqipëria ka trashëguar nga e kaluara një industri ushtarake e cila sot nuk ushtron veprimtarinë e saj dhe si rrjedhojë nuk mund t’i përgjigjet kërkesave të forcave tona të armatosura dhe prej vitesh këto kërkesa dhe nevoja plotësohen në tregun ndërkombëtar.

Ministria e Mbrojtjes gjykon se, Shqipëria, ashtu edhe si të gjitha vendet e tjera aleate, ka si detyrim të rrisë kapacitetet operacionale dhe nivelin e rezervës në municione dhe armatime, për t’iu përgjigjur ndryshimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë dhe mbështetur ekzekutimin e “familjes së planeve” të shkurajimit dhe mbrojtjes në zonën euroatlantike. Përveç një detyrimi të tillë, për kushtet aktuale, angazhimi në fuqizimin e një industrie të tillë dhe aftësia për të qenë konkurrent në këtë treg, mund të konsiderohet edhe si një aktivitet fitimprurës për ekonominë e vendit.

Në këtë mënyrë, përmes krijimit të një shoqërie shtetërore synohet shfrytëzimi i kapaciteteve industriale të trashëguara, sikurse edhe integrimi në proceset e punës edhe i teknologjive të reja  dhe inovacioneve.

Shoqëria shtetërore që synohet të krijohet më këtë projektligj, do të ketë të gjitha kapacitetet e saj juridike dhe financiare për të funksionuar në përputhje me objektivat që i cakton ky projektligj për zhvillimin e industrisë ushtarake në vend.

Si përfundim, synimi strategjik për modernizimin e industrisë së mbrojtjes në përputhshmëri me standardet e NATO-s është jo vetëm i nevojshëm për të rritur kapacitetet mbrojtëse të Shqipërisë, por edhe për të forcuar pozicionin strategjik të vendit në rajon dhe në skenën ndërkombëtare të sigurisë, si dhe për të nxitur zhvillimin ekonomik.

Efektet fillestare të këtij projektligji në momentin e krijimit të kësaj Shoqërie janë në vlerën 300.000.000 (treqind milionë) lekë dhe do të përballohen nga fondi rezervë.

Dorian Koça/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat