Analiza Postuar më 3 Nëntor 2025, 10:30

Ku po i investojnë bankat miliardat? Huadhënie rekord në tregti, ndërtim, turizëm dhe bujqësi

Nga Xhorxhina Deda

Ku po i investojnë bankat miliardat? Huadhënie rekord në tregti,

Në shtator 2025, kreditë e reja për korporatat jofinanciare private arritën nivele të reja në disa sektorë kyç të ekonomisë, sipas të dhënave më të fundit të “Bankës së Shqipërisë”. Flukset hyrëse mujore të huave tregojnë një zgjerim të dukshëm të financimeve në sektorët e tregtisë dhe ndërtimit, ndërkohë që transporti shënon rënie.

Sektori i tregtisë me shumicë dhe pakicë mbetet më i madhi për nga vlera e huave të reja me 8.6 miliardë lekë, me një rritje prej 37.1% krahasuar me shtatorin 2024. Kjo tregon për një dinamizëm të fortë të konsumit dhe të zinxhirit të furnizimit. Në vend të dytë vjen ndërtimi, me 4.4 miliardë lekë hua të reja, një rritje prej 36.6% në bazë vjetore.

Në sektorin prodhues, bujqësia shënon rritje të fortë prej 127.7%, duke sinjalizuar gjallërim në agrobiznes. Industria nxjerrëse rritet me 15.5%, por ajo përpunuese bie me 7.5%, ndërsa energjetika tkurret ndjeshëm me 67.4%, pas një periudhe investimesh të mëdha. Ndërkohë, furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbetjeve shënon një rritje të lartë.

Një nga zhvillimet më interesante është sektori financiar dhe i sigurimeve, me një kërcim prej 556.8%, duke arritur 1.74 miliardë lekë në kredi të reja. Ky zgjerim sugjeron një rritje të investimeve brenda vetë sektorit financiar, ndoshta për shkak të transformimeve teknologjike, konsolidimeve apo nevojës për kapital shtesë.

Në mënyrë të ngjashme, shëndetësia dhe aktivitetet sociale kanë përjetuar një rritje mbresëlënëse prej 442%, duke kaluar nga 174 milionë në 945 milionë lekë.

Në kontrast të plotë, transporti dhe magazinimi janë tkurrur me 83.6%, duke rënë në vetëm 350 milionë lekë nga mbi 2 miliardë një vit më parë. Edhe administrimi publik dhe mbrojtja kanë regjistruar një tkurrje pothuajse totale, me -99.6%, duke kaluar në nivele simbolike.

Sektori i akomodimit dhe shërbimeve ushqimore është rritur me 95.4%, duke kaluar 1.4 miliardë lekë, një tregues pozitiv për turizmin dhe hotelerinë, të cilat po përfitojnë nga një sezon i zgjatur dhe investime të reja në infrastrukturë. Ndërkohë, aktivitetet e pasurive të paluajtshme kanë shënuar një rritje prej 125.7%, duke reflektuar besimin në tregun e pronave.

Në fund të tabelës qëndron një shifër e vogël por e pazakontë. Aktivitetet e organizatave ndërkombëtare kaluan nga vetëm 0.01 milionë lekë në 11.08 milionë lekë, një rritje të larëtë. Edhe pse e parëndësishme për peshën e përgjithshme, ky detaj sinjalizon një lëvizje të vogël të kredive edhe në sektorë që tradicionalisht nuk marrin hua.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat