Shqipëria Postuar më 2 October 2026, 14:25

Shqipëri-SHBA, krah për krah/ Nufi pret ambasadorin e SHBA. Në fokus, infrastruktura dhe kapacitetet strategjike

Nga Diamila Leka

Shqipëri-SHBA, krah për krah/ Nufi pret ambasadorin e SHBA. Në

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka pritur në Tiranë ambasadorin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Eric Wendt, në kuadër të angazhimit për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Nufi i ka uruar mirëseardhjen ambasadorit Wendt, duke e cilësuar Shtetet e Bashkuara si një partner të pazëvendësueshëm për Shqipërinë në çështjet e mbrojtjes dhe sigurisë.

Sipas ministrit, Shqipëria kontribuon në këtë partneritet përmes pozicionit të saj strategjik, besueshmërisë dhe vullnetit për të bashkëpunuar me aleatët.

Në fokus të bashkëpunimit janë edhe infrastruktura dhe kapacitetet strategjike të Shqipërisë. Nufi ka veçuar Korridorin VIII, Porto Romanon, Bazën Ajrore të Kuçovës dhe kapacitetet për Mbështetjen e Vendit Pritës, të cilat, sipas tij, forcojnë arkitekturën e sigurisë dhe lëvizshmërinë e Aleancës në Evropën Juglindore.

Ministri ka theksuar gjithashtu kontributin e Shqipërisë në misionet dhe nismat ndërkombëtare për paqen dhe sigurinë, duke përmendur mbështetjen për Ukrainën, praninë e Forcave të Armatosura shqiptare në KFOR, si dhe pjesëmarrjen në iniciativa shumëkombëshe.

Në deklaratën e tij, Nufi ka përmendur edhe vendimin për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza. “Nga mbështetja për Ukrainën dhe prania në KFOR, tek shumë iniciativa shumëkombëshe, apo vendimi për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza – Shqipëria dëshmon se është tashmë një aleate e besuar dhe e aftë të kontribuojë për sigurinë dhe paqen”, është shprehur Nufi.

Në përfundim të mesazhit të tij, ministri theksoi rëndësinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, duke deklaruar: “Me Shtetet e Bashkuara, Shqipëria qëndron krah për krah – për lirinë, sigurinë dhe paqen”.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat