Shqipëria Postuar më 2 October 2026, 14:27

Këshilli i Ministrave miraton projektligjin “Për tregjet e kripto-aseteve”, hartuar nga AMF harmonizuar me kuadrin evropian të financave digjitale

Nga Scan TV

Këshilli i Ministrave miraton projektligjin “Për tregjet e

Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e datës 2 tetor 2026 miratoi projektligjin “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Projektligji synon të vendosë një kuadër të plotë rregullator për emetimin e kripto-aseteve dhe ofrimin e shërbimeve të lidhura me to, si dhe të sigurojë përafrimin e plotë të Shqipërisë me acquis të Bashkimit Evropian në fushën e financave digjitale. Në thelb, ai transpozon Rregulloren (BE) 2023/1114, të njohur si MiCA, dhe krijon një bazë të qartë ligjore për një treg që deri më sot ka qenë vetëm pjesërisht i mbuluar nga kuadri ekzistues.

Shtyllat kryesore të projektligjit janë transparenca, mbrojtja e investitorit, integriteti i tregut, mbikëqyrja efektive dhe harmonizimi me standardet evropiane. Projektligji rregullon jo vetëm emetimin e kripto-aseteve dhe tokenave të parasë elektronike, por edhe shërbime si operimi i platformave të tregtimit, kujdestaria, këmbimi, ekzekutimi dhe transmetimi i urdhrave, këshillimi, transfertat dhe administrimi i portofolit të kripto-aseteve. Ai vendos gjithashtu kërkesa të qarta për kapitalin minimal, qeverisjen korporative, menaxhimin e konfliktit të interesit, sigurinë kibernetike dhe operacionale, transparencën e dokumentit informues dhe masat kundër abuzimit me tregun dhe pastrimit të parave.

Projektligji i ri kalon nga një kuadër i fragmentuar në një regjim të plotë, funksional dhe të harmonizuar me standardet e BE-së në përputhje me rregulloren MiCA. Ky është dallimi kryesor pasi nuk kemi vetëm zgjerim të aktiviteteve të rregulluara, por ndërtohet një arkitekturë e re rregullatore që vendos në qendër sigurinë juridike, mbrojtjen e investitorit dhe mbikëqyrjen efektive të tregut.

Projektligji “Për Tregjet e Kripto-Aseteve” parashikon një regjim të diferencuar rregullator për kategoritë e ndryshme të kripto-aseteve, duke i trajtuar ato sipas natyrës së tyre, funksionit ekonomik dhe nivelit të rrezikut që paraqesin për investitorët, tregun dhe stabilitetin financiar.  

Me projektligjin e ri në kuadër të përafrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, synohet krijimi i një kuadri më të qartë dhe të harmonizuar me standardet e BE-së. Në këtë mënyrë, licencimi i operatorëve në këtë sektor do të zhvillohet mbi një bazë ligjore dhe rregullatore më të avancuar, të sigurt dhe të konsoliduar.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat