Shqipëria Postuar më 2 October 2026, 13:02

Shumëkombëshet në “radar”/ Tatimet, raportim “vend për vend” dhe shkëmbim automatik të të dhënave

Nga Scan TV

Shumëkombëshet në “radar”/ Tatimet, raportim

Administrata tatimore pritet të ketë akses më të gjerë në informacionin financiar të grupeve shumëkombëshe që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri.

Projektligji për ndryshimin e ligjit të procedurave tatimore forcon mekanizmin e raportimit “vend për vend”, ose Country-by-Country Reporting, për grupet e mëdha ndërkombëtare.

Pragu financiar lidhet me vlerën 750 milionë euro, e barasvlershme afërsisht me 105 miliardë lekë sipas kursit të janarit 2015. 

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me filialet apo entitetet shqiptare të një grupi shumëkombësh. Ato mund të detyrohen të dorëzojnë vetë raportin në administratën tatimore shqiptare nëse kompania mëmë jashtë vendit nuk është e detyruar të raportojë, nëse mungon një marrëveshje për shkëmbimin e informacionit ose nëse ka një dështim sistemik të juridiksionit ku ndodhet kompania mëmë. 

Në rast se kompania mëmë refuzon të japë informacionin e nevojshëm, entiteti në Shqipëri duhet të raportojë të dhënat që zotëron dhe të njoftojë administratën tatimore për refuzimin. 

Projektligji parashikon gjithashtu që raportet e marra nga Tatimet shqiptare të shkëmbehen automatikisht me administratat tatimore të vendeve të tjera ku grupi shumëkombësh ka kompani apo seli të përhershme.

Ky shkëmbim duhet të kryhet brenda 15 muajve nga përfundimi i vitit fiskal përkatës. 

Sipas relacionit, synimi është rritja e transparencës fiskale dhe forcimi i kontrollit ndaj praktikave të transferimit të fitimeve nga një juridiksion në tjetrin, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian dhe projektin BEPS të OECD-së. 

Megjithatë, efektet e këtyre ndryshimeve nuk do të nisin menjëherë.

Ligji parashikohet të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, por efektet e tij do të fillojnë vetëm në datën e aderimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. 

Në këtë mënyrë, Shqipëria po përgatit paraprakisht kuadrin ligjor për një sistem më të automatizuar dhe më të integruar të shkëmbimit ndërkombëtar të informacionit tatimor.

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat