Bota Postuar më 2 Qershor 2023, 10:35

Shmanget falimentimi historik në SHBA - Edhe Senati miraton pezullimin e kufirit të borxhit

Nga SCAN TV
Shmanget falimentimi historik në SHBA - Edhe Senati miraton pezullimin e

Senati i Shteteve të Bashkuara të Amerikës miratoi legjislacionin dypartiak të mbështetur nga presidenti Joe Biden, i cili heq tavanin e borxhit prej 31.4 trilionë dollarë të qeverisë, duke shmangur atë që do të kishte qenë një falimentim i paprecedent.

Senati votoi 63 pro dhe 36 kundër duke mbëshettur projektligjin që ishte miratuar të mërkurën nga Dhoma e Përfaqësuesve, teksa ligjvënësit ishin në garë me kohën pas disa muajsh përplasjesh midis demokratëve dhe republikanëve.

Departamenti i Thesarit kishte paralajmëruar se nuk do të ishte në gjendje të paguante të gjitha faturat më 5 qershor nëse Kongresi nuk do të vepronte deri atëherë.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, Biden vlerësoi veprimin në kohë të Kongresit. Ai u shpreh se kjo marrëveshje dypartiake ishte një fitore e madhe për ekonominë dhe popullin amerikan. Ai shtoi se do ta nënshkruajë atë në ligj sa më shpejt të jetë e mundur. Biden ishte u përfshi në mënyrë të drejtpërdrejtë në negociatat mbi projektligjin me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy.

Ndërkohë që kjo betejë e hidhur ka përfunduar, udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell nuk humbi kohë duke prezantuar betejën e rradhës për buxhetin. Ai u shpreh se muajt e ardhshëm, republikanët e Senatit do të vazhdojnë të punojnë për të siguruar mbrojtjen e përbashkët dhe për të kontrolluar shpenzimet e pamatura të demokratëve në Uashington.

McConnell po i referohej 12 projektligjeve mbi të cilat Kongresi do të punojë gjatë verës për të financuar programet e qeverisë në vitin fiskal që fillon më 1 tetor, i cili do të zbatojë gjithashtu udhëzimet e përgjithshme të faturës së kufirit të borxhit.

Ndërkohë, Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen, theksoi se kredia e plotë e Shteteve të Bashkuara nuk duhet të përdoret kurrë si ‘mjet për të bërë pazar’ siç bënë republikanët gjatë muajve të fundit.

Me këtë legjislacion, kufiri ligjor për huamarrjen federale do të pezullohet deri më 1 janar 2025. Ndryshe nga shumica e vendeve të tjera të zhvilluara, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kufizojnë shumën që qeveria mund të marrë hua, pavarësisht nga shpenzimet e caktuara nga legjislativi.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat