Europa Postuar më 14 Tetor 2023, 11:04

“Sëmundja” e vërtetë e ekonomisë së Gjermanisë - Shkaqet rrënjësore lidhen me karakteristikat specifike të modelit të biznesit

Nga SCAN TV
“Sëmundja” e vërtetë e ekonomisë së

Revista ‘The Economist’ për herë të dytë në 24 vitet e fundit diagnostikon se Gjermania është “pacientja e Europës”. Hera e parë ishte në vitin 1999, kur vendi vuante nga papunësia e lartë, megjithëse është e diskutueshme nëse kjo situatë reflektonte një sëmundje kronike dhe nuk ishte pasojë e pashmangshme e tronditjes masive të bashkimit në ekonominë krejtësisht joproduktive të ish-Gjermanisë Lindore. Gjermania Perëndimore prej 61 milionë banorësh arriti të zgjerojë sistemin e saj bujar të sigurimeve shoqërore për 16 milionë gjermano-lindorë. Në të njëjtën kohë, ajo rindërtoi plotësisht infrastrukturën e dëmtuar në lindje dhe ky ishte një tregues i fuqisë së ekonomisë së saj në atë kohë.

Sot, sipas OECD, Gjermania është i vetmi vend, përveç Argjentinës, PBB-ja e së cilës do të tkurret në vitin 2023. Në vitin 2024 do të jetë ende një nga vendet me rritje shumë të dobët. Njerëzit në Gjermani janë të vetëdijshëm për këtë performancë të dobët, por në debatin publik fajtori kryesor është "burokracia" - qeveria. Instituti Ndërkombëtar për Zhvillimin e Menaxhimit hartoi një listë në bazë të efikasitetit të shtetit. Gjermania renditet në vendin e 27-të, por dhe konkurrentët e saj nuk shkojnë shumë më mirë: SHBA renditet e 25-ta, Britania e Madhe e 28-ta dhe Kina e 35-ta. Prandaj, nëse burokracia është një frenë e rritjes, ndoshta ka arsye më të thella. Dhe këto kanë të bëjnë me veçoritë e veçanta të “modelit të biznesit” të ekonomisë gjermane me tre rrathët e saj.

Rrethi i jashtëm ka një orientim të fortë eksporti. Që nga vitet 1990, raporti i eksportit ndaj PBB-së së Gjermanisë është pothuajse dyfishuar në 47%, dukshëm më i lartë se Franca dhe Britania me 29%, Kina me 20% dhe SHBA me 11%. Në fazën e globalizimit të shpejtë, eksportet forcuan ekonominë gjermane. Sot, me proteksionizëm të rritur, Gjermania nuk mund të mbështetet më tek vendet e tjera për stimulin e saj ekonomik.

Rrethi i mesëm lidhet me prodhimin: pjesa e tij e vlerës së shtuar - 19% është përsëri shumë më e lartë se në SHBA - 11% dhe më shumë se dyfishi i asaj të Francës dhe Britanisë së Madhe - 9%. Ndërsa Gjermania ka përfituar nga baza e saj e fortë industriale për dekada, ajo e ka pasur më të vështirë të absorbojë çmimet e larta të energjisë dhe nevojën për të hequr gradualisht qymyrin nga ekonomia në krahasim me vendet që mbajnë një sektor të fortë shërbimi.

Në këtë këndvështrim Gjermania  vuan nga mungesa e platformave dixhitale. Një studim i ‘Frankfurter Allgemeine Zeitung’ tregon se SHBA përbën 80% të vlerës globale të platformave të tilla, Kina 17% dhe Europa vetëm 2% së bashku. Rrethi i tretë i brendshëm është industria e automjeteve me një përqendrim shumë të lartë të shitjeve në tregun kinez. Prodhimi gjerman i makinave arriti kulmin në vitin 2017 dhe tani është nën nivelet para krizës financiare të vitit 2008.

Si përfundim, ekonomia gjermane përballet me një sfidë thelbësore për modelin e saj të biznesit, e cila nuk trajtohet me ndryshim rregullash dhe ulje të taksave. Kërkohet një transformim total, i cili duhet të bazohet në një paradigmë të re ekonomike.

Dorina Kurtaj /SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat