Europa Postuar më 3 Maj 2022, 13:42

Scholz, takim me kryeministret e Finlandës dhe Suedisë - Diskutohet mbi çështjet e sigurisë në Europë dhe sfidat e ekonomisë

Nga SCAN TV

Kabineti i Kancelarit gjerman, Olaf Scholz dhe kryeministret e Finlandës dhe Suedisë, respektivisht Sanna Marin dhe Magdalena Andersson, zhvilluan një takim në një kështjellë në veri të vendit, ku diskutuan mbi çështjet e sigurisë në Europë.

Scholz deklaroi për gazetarët se, Finlanda dhe Suedia janë aleatë të ngushtë të Gjermanisë dhe partnerë të Bashkimit Europian. “Jemi mbledhur sot këtu për të adresuar çështjet më të rëndësishme, që na shqetësojnë të gjithëve, në këtë takim me dyer të mbyllura. Kemi të ftuar kryeministrat e Suedisë dhe Finlandës, aleatë të ngushtë të vendit tonë. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme të diskutojmë çështjet e sigurisë, të cilat janë të rëndësishme për të gjithë Europën”, deklaroi Scholz.

“Është një traditë e mirë që ne vazhdojmë të mblidhemi këtu. Do të donim të ishim mbledhur edhe më herët, por pandemia nuk ishte në anën tonë. Kam besim se do të zhvillojmë konsultimet më të mira, për çështjet më të rëndësishme, që na shqetësojnë sot”, përfundoi kancelari gjerman.

Që kur Rusia pushtoi Ukrainën, Finlanda dhe Suedia po konsiderojnë aplikimin për t’u bërë pjesë e aleancës ushtarake të NATO-s, që do të shënonte një ndryshim të madh politik në rajonin Nordik. Gjithashtu, sipas kancelarit gjerman, Olaf Scholz, gjatë takimit me dyer të mbyllura janë diskutuar edhe sfidat ekonomike, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, por edhe sfidat e ndryshimeve klimatike.

SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat