Shqipëria Postuar më 23 Nëntor 2023, 18:04

Samiti i Diasporës/ Zv.Kryeministrja Balluku, ftesë shqiptarëve që jetojnë jashtë që të vijnë të kontribuojnë në Shqipëri

Nga SCAN TV
Samiti i Diasporës/ Zv.Kryeministrja Balluku, ftesë shqiptarëve

Në edicionin e tretë të Samitit të Diasporës, zëvëndëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku i bëri apel shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, që të shohin mundësinë e angazhimit në projektet e reja që po zhvillohen në Shqipëri.

Balluku u ndal te strategjia e re e emërtuar S3 (Strategjia e Specializimit Inteligjent); një strategji që karakterizohet nga identifikimi i fushave prioritare strategjike me avantazh të lartë konkurues të një rajoni apo një vendi. Kjo strategji ofron një analizë të situatës me një qasje të gjerë me fokus inovacionin, duke përfshirë, por pa u kufizuar, prirjet që lidhen me teknologjinë, duke vendosur në qendër kapitalin njerëzor.

Në fjalën e saj, zëvëndëskryeministrja evidentoi se Shqipëria tashmë është kthyer në një vend lider në rajon që i përket inovacionit, ekselencës dhe digjitalizimit.

Sot Shqipëria krenohet me hapat që ka hedhur në këto fusha dhe do të thoja që spikat digjitalizimi. Ne vendosëm në 2019, përmes një iniciative që u konsiderua agresive në ato momente, që pjesën më të madhe të shërbimeve që ofroheshin nga njësitë e qeverisë qendrore dhe pushtetit lokal, që të ktheheshin në online. Për shumë arsye; zvogëlim burokracie, ulje korrupsioni dhe kontaktit direkt të qytetarëve me ofruesit e shërbimeve. Sot ofrojmë më shumë se 99 % të shërbimeve online, pa asnjë lloj pengesë. Sot jemi lider i rajonit dhe nuk e themi ne por liderët e BE-së që kanë ardhur në Tiranë për herë të dytë në një samit” tha Balluku.

Zëvëndëskryeministrja evidentoi nismën më të re të qeverisë për ngritjen e Qendrës së Inovacionit dhe Ekselencës që do të ketë nukle që do t’i përgjigjen nevojave të secilit sektor. Kjo është parashikuar që të jetë agjencia lider për zhvillimin teknologjik.

Kjo agjenci është krijuar në përputhje me kuadrin ligjor dhe jemi në fazën e konkurrimit sa i përket lidershipit të saj dhe sigurisht kërkesat tona për burime njerëzore janë rritur. I bëjmë thirrje diasporës, të gjithë shqiptarëve që janë në botë dhe na përfaqësojnë në mënyrën më të mirë, që të kthejnë sytë nga vendi.  Se ka shumë shqiptarë që edhe pse janë gjendur mirë atje kanë vendosur të  kthehen në atdhe” tha Balluku në vijim të fjalës së saj.

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat