Shqipëria Postuar më 3 Maj 2024, 18:42

Samir Mane i ftuar nga studentët në Vlorë, Presidenti i Grupit Balfin: Turizmi do jetë thelbësor për zhvillimin ekonomik

Nga SCAN TV

Turizmi u shndërrua në temën qendrore të bashkëbisedimit të Presidentit të Grupit BALFIN, Samir Mane, me studentët e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë. Të nisur natyrshëm nga pozita gjeografike, të rinjtë kërkuan këndvështrimin e themeluesit të një prej grupeve më të mëdha investuese, në lidhje faktorët që do sillnin rritjen ekonomike të qytetit të tyre. Ndërkohë që, Mane i këshilloi studentët ta konsiderojnë turizmin si sektorin që do marrë peshë edhe më të madhe në ekonominë e vendit dhe të rajonit.

“Jeni të mirësepritur të vini me propozime të ndryshme sesi mund të bashkëpunojmë si partnerë: Të gjithë ata që kanë ide, ide inovative, sidomos në drejtim të industrisë së turizmit”, - tha presidenti i Grupit BALFIN.  

Mane ndau me të pranishmit edhe përpjekjet përgjatë 30 viteve për të arritur tek mundësitë që ka sot për të kontribuar në ekonomi dhe shoqëri, ndërsa foli dhe për ambiciet për të ardhmen në drejtim të zgjerimit të Grupit BALFIN.

“Ajo që dua të bëj padyshim është ndërkombëtarizimi i Grupit BALFIN në më shumë se 11 vende”, - tha Mane.

Takimit me studentët i parapriu nënshkrimi i marrëveshjes së bashkëpunimit mes Grupit Balfin dhe Universitetit të Vlorës, ku u theksua nevoja për gjetjen e mënyrave për t’i orientuar studimet dhe punësimet drejt industrisë së turizmit.

“Do të jem shumë krenar dhe shumë i lumtur, që të le një lidhje të Universitetit ‘Ismali Qemali’ me grupin tuaj Balfin”, - tha rektori i Universitetit të Vlorës, Roland Zisi.

Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, Grupi BALFIN angazhohet të kontribuojë me praktika profesionale për studentët, bursa studimi dhe investime infrastrukturore. Ndërkohë që, rektori i universitetit, profesor Zisi, i dorëzoi Presidentit të Grupit BALFIN, emblemën simbolike të universitetit në shenjë vlerësimi si model i njeriut të suksesshëm në biznes që përputhet me filozofinë e universitetit.

SCAN

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat