Shqipëria Postuar më 3 Maj 2024, 12:01

Sa kanë paguar bizneset për pullat fiskale? - Qëllimi i aplikimit të tyre dhe ndryshimet nga 1 janari 2025

Nga SCAN TV
Sa kanë paguar bizneset për pullat fiskale? - Qëllimi i aplikimit

 Kjo është një pullë fiskale dhe çdo produkt i tatueshëm me akcizë në Republikën e Shqipërisë, duhet të jetë i pajisur me një pullë të tillë, ndryshe konsiderohet si ilegal. Përpos produkteve të duhanit, pulla e akcizës aplikohet edhe tek birra, vera, dhe pijet alkoolike. Aplikimi i Pullave te Fiskale tek Produktet ka qëllim të numërimin e Produkteve, duke lehtësuar kështu mbledhjen e taksave si dhe gjurmimin e tyre, në mënyrë që të identifikojë origjinën dhe ligjshmërinë e dhe të eliminojë prodhimet ilegale, sikurse prodhimin dhe shitjen e produkteve te falsifikuara. Deri më tani ky shërbim ofrohej nga kompania koncesionare SICPA, ndërsa nga 1 Janari 2025 do të kalojë sërish në “pronësi të shtetit”.

Vendimi i miratuar së fundmi nga Këshilli i Ministrave parashikon që vitin e ardhshëm, shoqëria “Shtypshkronja e Letrave me Vlerë” autorizohet që të bëjë prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, konform ligjit për akcizat.

Ky ndryshim vjen si rrjedhojë e përfundimit në datë 31 dhjetor 2024 të kontratës së koncesionit me shoqërinë “Sicpa Security Solutions” Albania, sh.p.k, e cila ka prodhimin, shpërndarjen e monitorimin e pullave fiskale të akcizës.

Të gjithë prodhuesit dhe importuesit, të cilëve, sipas ligjit, u kërkohet të aplikojnë pullën fiskale, i paguajnë koncesionarit çmimin e përcaktuar  në ligji, në një llogari të specifikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Aktualisht çmimi i aplikuar që i paguhet kompanisë koncesionare për produktet  duhanit është 20 euro/1 mijë copë, duke përjashtuar këtu TVSH-në dhe taksat e tjetra. Për alkoolin, pulla e akcizës kushton 32 euro për 1 mijë copë dhe për birrën 22 euro për 1 mijë copë

Bizneset e prodhimit dhe tregtimit të mallrave të akcizës ndër vite i kanë konsideruar këto tarifa të paarsyeshme dhe me kosto të lartë për aktivitetin e tyre si dhe shumë herë më të larta se vendet e rajonit por edhe të Europës.

Nisur nga raportimet zyrtare të koncesionarit xhiro mesatare vjetore është luhatur në rreth 9 milionë euro, duke bërë që në 12 vite të koncesionit totali të arrijë në rreth 108 milionë euro. Sipas marrëveshjes koncesionare, kompania i paguan shtetit vetëm 2% të të ardhurave të tij, e thënë ndryshe afro 2.2 milionë euro për gjithë kohëzgjatjen e koncesionit.

Shkëputja nga kompania koncesionere, mund të sjellë edhe një rishikim të këtyre tarifave që paguajnë bizneset dhe si rrjedhim reduktimin e kostove të tyre.

Pullat fiskale janë letra me vlerë dhe monopol shtetëror dhe përpara dhënies me koncesion, nga viti 2008 deri në vitin 2012, prodhimi i tyre është kryer nga një shoqëri aksionare në pronësi të shtetit, e përcaktuar nga Këshilli i Ministrave.

Elisabeta Dosku/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat