Shqipëria Postuar më 9 Maj 2024, 14:08

Sa përfitojnë dhe shpenzojnë bashkitë? - Analiza për tre bashki, vetëm 20% e buxhetit shkon për investime

Nga SCAN TV
Sa përfitojnë dhe shpenzojnë bashkitë? - Analiza për

Bashkitë Pogradec, Roskovec dhe Selenicë paraqesin ndryshime të rëndësishme me njëra-tjetrën sa i takon të ardhurave dhe shpenzimeve që kanë dhe se sa vëmendje i kushtojnë banorëve të tyre.

Të dhënat më të fundit zyrtare të financave, që i takojnë vitit 2022,  tregojnë se të ardhurat më të larta për banor i ka bashkia Roskovec, të cilat llogariten në 9,276 lekë/banor, ndjekur nga Bashkia Pogradec që mbledh thuajse gjysmën e kësaj shifre, e regjistruar në 4,795 lekë/banor  dhe më pas vjen Bashkia Selenicë e cila e ka këtë nivel shumë më të ulët se dy bashkitë e tjera, e fiksuar në 2,945 lekë/banor.

Sa i takon shpenzimeve, më të lartat për banor i ka sërish bashkia Roskovec, në 20,325 lekë/banor, ndjekur nga bashkia Selenicë, e cila shpenzon 16,844 lekë/banor dhe më pas renditet bashkia Pogradec, ku shpenzimet për banor llogariten në 16,539 lekë.

Sa i takon natyrës së këtyre shpenzimeve në të tre bashkitë pjesën më të madhe të shpenzimeve e zënë pagat e për personelin dhe ato operative, ndërsa më pak para shkojnë për investime publike për të ofruar shërbime më të mira për qytetarët.  Mesatarisht bashkitë shpenzojnë rreth 78 për qind të buxhetit të tyre për personelin dhe shpenzime të tjera operative dhe vetëm 22 për qind për investime.

Ndërkaq, pesha e të ardhurave sipas bashkive ndaj totalit të të ardhurave vendore 2022 për bashkinë Roskovec është 0.7%, Pogradec 1.1 % dhe bashkinë Selenicë  0.2%.

Bashkitë funksionojnë me të ardhurat e veta të mbledhura nga taksat dhe tarifat vendore si dhe transferta e pa kushtëzuar dhe e kushtëzuar që i jepet çdo vit nga buxheti i shtetit për të përmbushur funksionet e transferuara. Por pavarësisht kësaj shumë bashki e kanë të vështirë të kenë një perfomancë pozitive, të shfrytëzojnë potencialet e territorit dhe të bëjnë investimet e nevojshme.

Elisabeta Dosku/ SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat