Dossier Postuar më 11 Nëntor 2022, 09:32

Sa i kushtuan Shqipërisë bunkerët? Rrëfimi i rrallë në emisionin 'DOSJA E' për 1000 eksperimentet sekrete që u kryen para viteve '90

Nga SCAN TV
Sa i kushtuan Shqipërisë bunkerët? Rrëfimi i rrallë

https://www.youtube.com/watch?v=PcIzF8uq-ok

 

Me iniciativa të njëpasnjëshme, për publikun janë bërë të njohura dhe janë bërë në vizitueshme disa prej fortifikimeve të periudhës së Luftës së Ftohtë, të mbajtura sekret prej vitesh. Emisioni “DOSJA E” në SCAN këtë të enjte në orën 20:00, i është rikthyer kësaj teme duke analizuar arsyet dhe kostot e ndërtimit të tyre. Emisioni sjell intervistat e dy personave të rëndësishëm që kanë  ndjekur nga afër procesin e ndërtimit të bunkerëve.

Procesi i bunkerizimit të vendit ka kaluar në disa faza. Intensiteti i ndërtimit të tyre duket se është diktuar nga zhvillimet jashtë vendit dhe nga ndjesia për një pushtim. Periudha e parë e nisjes së ndërtimit të tyre nga regjimi komunist daton në fundin e viteve 40, kohë kur marrëdhëniet me Jugosllavinë ishin të tensionuara e ku ndërhyrja ushtarake dukej në horizont.

Një faza tjetër është ajo që nis në fundin e viteve ’60 kur Shqipëria kishte dalë me protestë nga traktati i Varshavës, aleanca ushtarake e vendeve komuniste.

Deri në vitin 1968, ecuria e fortifikimit të vendit ecte me hapa normalë. Pushtimi i Çekosllovakisë nga Bashkimi Sovjetik krijoi panik në Tiranë, ku qarkullonte intensivisht lajmi se radha mund t’i vinte Shqipërisë.

Në këtë kohë, nis edhe ai që mund të cilësohet si procesi i bunkerizimit masiv të vendit.

Për vite më radhë, numri i bunkerëve apo qendrave të zjarrit në Shqipëri ka qenë një informacion i klasifikuar ushtarak. Tashmë rrethanat kanë ndryshuar e kjo e dhënë nuk përbën më një sekret. Shifra e artikuluar masivisht ka qen 750 mijë. Po a ka pasur realisht Shqipëria 1 bunker për 4 banorë?

Në Shqipëri u ndërtuan disa lloje bunkerësh. Bunkerët e vegjël , në formë kërpudhe prej betoni, me sipërfaqe rreth 2.5 metra katrorë secili,  që u projektuan për të strehuar një ushtar,  me pushkën e tij.  Bunkerë të të tillë u përhapën në të gjithë territorin e vendit përgjatë kufijve tokësorë, sidomos përgjatë vijës brendetare, ku u pozicionuan kryesisht në linja treshe. Ato u ndërtuan me elementë të parafabrikuar, në forma të ndryshme gjeometrike. Transportimi dhe montimi i tyre u bë me anë të makinerive të mëdha.

Bunkerët e mesëm u projektuan për të strehuar artileri të vogla apo grupe njerëzish dhe ato gjendeshin në të gjithë territorin e vendit. Disa prej tyre ishin gjithashtu të parafabrikuar dhe të montuar me pjesë, që transportoheshin po nga makineri të mëdha. Kupola e tyre ishte e ndarë me pjesë, ku secila pjesë peshonte thuajse 10 ton. Në total, një bunker i tillë peshonte rreth 400 ton ndërsa sipërfaqja ishte rreth 30 metra katrorë.

Një lloj tjetër ishin strukturat speciale; tunele të zakonshme dhe antiatomike që u projektuan dhe ndërtuan për qëllime ushtarake si baza për nëndetëse, për artilerinë e rëndë apo për strehim për drejtuesit e lartë të kohës. Struktura të tilla u ndërtuan në Skrapar, në qendër e periferi të Tiranës si dhe në Porto Palermo apo në Gjadër. Këto struktura speciale që do të përdoreshin në rast pushtimi, parashikonin mbrojtjen nga çdo lloj sulmi, edhe bërthamor.

Ndryshe nga vendet e tjera ku vija mbrojtëse ishte e maskuar, në Shqipëri  pjesa e parë e vijës mbrojtëse është terësisht e dukshme.  Bunkerët u pozicionuan anë e kënd Shqipërisë dhe vendosja e tyre u përcaktua në bazë të një strategjie të përbërë nga vargje lineare dhe ato trinjake, të organizuara nga bunkerët e vegjël dhe pika strategjike me përmasa të mëdha.

Strukturat e fortifikimit në Shqipëri i janë nënshtruar një serie eksperimentesh shkencore. Eksperimentet e para që u kryen ishin ato të forcës direkte që kishin bunkerët.

Pas eksperimenteve që testonin forcën mbrojtëse të bunkerëve, do të lindte nevoja e testimit të efektit që do të kishin mbi njerëzit. I ndjeri Sabit Brokaj, në atë kohë mjek në Spitalin Ushtarak dhe pjesë e Këshillit Shkencor do të përzgjidhej për të drejtuar eksperimentet për efektet që do të kishin goditjet mbi bunkerët te personat që gjendeshin brenda tyre.

Studimi në atë kohë do të bëhej pjesë e diskutimeve të shumta. Për t’i paraprirë problematikave apo rrezikut që studimit të keqkuptohej e të sillte edhe pasoja, Brokaj do të detyrohej të dokumentonte e të faktonte çdo eksperiment të kryer prej tij, ashtu sikurse të sillte edhe fakte nga studimet të realizuara jashtë vendit.

Në fund, studimi do të kalonte për shqyrtim në Akademinë e Shkencave e më pas do të mbrohej si tezë shkencore për audiencë të kufizuar.

Të ndërtuara për t’i bërë ballë një pushtuesi nga jashtë, bunkerët nuk do të përdoreshin kurrë pasi Shqipëria nuk u sulmua nga forcat perëndimore apo lindore duke mbetur një linjë mbrojtje e patestuar.

 

 

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat