Bota Postuar më 10 Shkurt 2023, 11:14

Rusia ul ndjeshëm prodhimin e naftës: 500 mijë fuçi më pak në ditë duke filluar nga marsi!

Nga SCAN TV
Rusia ul ndjeshëm prodhimin e naftës: 500 mijë fuçi

Rusia do të ulë prodhimin e naftës me 500 mijë fuçi në ditë, ose rreth 5% të prodhimit, duke filluar nga muaji mars. Lajmi u konfirmua nga zv/kryeministri rus Alexander Novak, në formë reagimi pasi perëndimi vendosi kufi për çmimet e naftës dhe produkteve të naftës ruse.

Çmimi i naftës së papërpunuar Brent u rrit pas lajmit me më shumë se 2.5%, në 86.6 dollarë për fuçi.

Në një deklaratë për media Novak sqaroi se vendi i tij, duke filluar nga sot, po shet të gjithë vëllimin e naftës së prodhuar, megjithatë, siç u tha më herët, ne nuk do t'iu shitet naftë atyre që drejtpërdrejt ose indirekt i përmbahen parimeve të ‘kufirit të çmimit’. Sipas tij në këtë drejtim, Rusia do të ulë vullnetarisht prodhimin me 500 mijë fuçi në ditë në muajin mars. Kjo do të kontribuojë në rivendosjen e marrëdhënieve të tregut.

G7, Bashkimi Europian dhe Australia ranë dakord të ndalojnë përdorimin e sigurimit detar, financimit dhe ndërmjetësimit të furnizuar nga perëndimi për naftën ruse në det me çmim mbi 60 dollarë për fuçi nga 5 dhjetori, si pjesë e sanksioneve perëndimore ndaj Moskës për konfliktin në Ukrainë. BE-ja vendosi gjithashtu një ndalim për blerjet e produkteve të naftës ruse dhe vendosi kufijtë e çmimeve nga data 5 shkurt e këtij viti. Nga ana tjetër, Rusia ka pezulluar marrëveshjet që përfshijnë çdo aplikim të mekanizmave të kufirit të çmimit.

Rënia e fundit e madhe e prodhimit të naftës ruse ishte në prill, kur ajo ra me gati 9% pas futjes së sanksioneve perëndimore mbi Ukrainën. Që atëherë, Rusia ka arritur të krijojë zinxhirë logjistikë për shitjet e saj të naftës, kryesisht në Azi.

Vendimi i Rusisë për të ulur prodhimin e naftës u njoftua vetëm nëntë ditë pasi një panel i OPEC+, në të cilin Rusia është anëtare, miratoi politikën aktuale të prodhimit të grupit të prodhuesve të naftës, duke lënë në fuqi reduktimet e prodhimit për të cilat u ra dakord vitin e kaluar. Novak theksoi se Rusia beson se mekanizmi ‘kufiri i çmimit’ në shitjen e naftës dhe produkteve të naftës ruse është një ndërhyrje në marrëdhëniet e tregut dhe një vazhdim i politikës shkatërruese të tregut të energjisë të vendeve të perëndimit.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat