Bota Postuar më 18 Nëntor 2025, 10:29

Kina “financon” SHBA-në - Pse Uashingtoni ka marrë 200 mld USD kredi nga bankat shtetërore kineze?

Nga Kristi Ceta

Kina “financon” SHBA-në - Pse Uashingtoni ka marrë 200 mld

Prej vitesh, Uashingtoni ka paralajmëruar vendet e tjera të mos u besojnë huave nga bankat shtetërore kineze, që kanë ndihmuar ngritjen e Kinës si superfuqi. Por një raport i ri zbulon një kthesë befasuese: Shtetet e Bashkuara janë përfituesi më i madh i këtyre huave, me diferencë të madhe nga të tjerët. Dhe pasojat për sigurinë dhe teknologjinë ende nuk janë kuptuar plotësisht.

Sipas AidData, një laborator kërkimor në Virxhinia, bankat shtetërore të Kinës kanë kanalizuar 200 miliardë dollarë në bizneset amerikane gjatë 25 viteve të fundit. Por shumë prej këtyre huave janë mbajtur të fshehta, sepse paratë janë devijuar fillimisht përmes kompanive fantazmë në Ishujt Kajman, Bermudë dhe vende të tjera, duke fshehur origjinën e tyre.

Më shqetësues është fakti që një pjesë e madhe e këtyre kredive i ka ndihmuar kompanitë kineze të blejnë aksione në biznese amerikane, shpesh në sektorë kritikë për teknologjinë dhe sigurinë kombëtare, duke përfshirë prodhues robotësh, kompani të gjysmëpërçuesve dhe firma bioteknologjike.

Raporti zbulon një rrjet huadhënieje shumë më të gjerë dhe më të sofistikuar sesa mendohej më parë, një sistem detyrimesh financiare që shtrihet edhe në shtetet e tjera të pasura, si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Australia, Holanda dhe aleatë të tjerë të SHBA-së.

Ekspertët theksojnë se huadhëniet e fshehta i kanë dhënë Kinës kontroll mbi teknologji kyçe. “Luftërat do të fitohen nëse arrin të kontrollosh produktet që janë kritike për funksionimin e një ekonomie,” shpjegojnë ata.

Marrëveshjet e financuara nga bankat shtetërore kineze janë veçanërisht problematike. Këto banka kontrollohen nga qeveria qendrore, që do të thotë se ato drejtohen për të përparuar objektivat strategjike të Pekinit.

Në total, raporti tregon se Kina ka dhënë mbi 2 trilionë dollarë hua në të gjithë botën nga viti 2000 deri në 2023, dyfishi i parashikimeve më të larta të mëparshme. Një pjesë e madhe e huave për vendet e pasura është fokusuar në mineralet kritike dhe asetet e teknologjisë së lartë, duke përfshirë mineralet e rralla dhe gjysmëpërçuesit që nevojiten për avionët luftarakë, nëndetëset dhe rrjetet e telekomunikacionit.

 

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat