Shqipëria Postuar më 5 Shtator 2024, 16:09

Rritet konsumi nga familjet shqiptare - BSH: Të ardhurat nga turizmi dhe investimet e reja ndikuan në zhvillimin ekonomik

Nga SCAN TV
Rritet konsumi nga familjet shqiptare - BSH: Të ardhurat nga turizmi dhe

Ledina Elezi/SCAN

Veprimtaria e sistemit financiar ka pasur një ecuri pozitive në gjysmën e parë të këtij viti. Pavarësisht efektit të mbiçmimit të kursit të këmbimit, depozitat u zgjeruan dhe ritmi i rritjes së kredisë u përshpejtua në sektorin bankar.

Rritja e konsumit, investimeve dhe e të ardhurave nga turizmi, mbështetën zhvillimin ekonomik në gjashtëmujorin e parë të 2024-ës. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo rritje ekonomike u shoqërua me rritje të punësimit e të pagave dhe ulje të normës së papunësisë. Këta dy faktorë kontribuan në një gjendje më të mirë financiare për familjet dhe bizneset shqiptare, krahasuar me vitin e kaluar.

Politika fiskale ruajti prirjen konsoliduese në kushtet e rritjes së ndjeshme të të ardhurave fiskale. Presionet inflacioniste vijuan të bien dhe norma e inflacionit zbriti nën objektivin e Bankës së Shqipërisë, duke sjellë uljen prej saj të normës bazë të interesit.

Rreziqet e veprimtarisë u paraqitën në nivele të kontrolluara, por ecuria në rritje e ciklit financiar ka nevojë të moderohet. Në tërësi rezistenca e veprimtarisë bankare ndaj rreziqeve ishte e mirë, në kushtet kur kapitalizimi i veprimtarisë mbeti i qëndrueshëm dhe fitimi vijoi të përmirësohej me ritme të kënaqshme.

Nga ana tjetër, rreziqet për zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend mbeten të pranishme. Ata burojnë kryesisht nga pasiguria që mbartin zhvillimet gjeopolitike, por mund të zhvillohen edhe në kushtet e një optimizmi që shoqërohet me veprime të pakujdesshme nga ana e agjentëve ekonomikë.

Banka e Shqipërisë vlerëson se të gjithë agjentët e ekonomisë kanë mundësinë ta shfrytëzojnë këtë periudhë të veprimtarisë për të konsoliduar bilancet e tyre financiare, për të përmirësuar kapacitetet administruese në përgjithësi dhe të rreziqeve në veçanti, si edhe për të rritur efiçiencën e veprimtarisë.

 

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat