Kosova Postuar më 25 Mars 2024, 14:10

Rritet çmimi i energjisë elektrike në Kosovë - Fatura për një familje prej 2 anëtarësh deri në 200 euro

Nga SCAN TV
Rritet çmimi i energjisë elektrike në Kosovë - Fatura

Faturat e energjisë elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohen... edhe këtë vit. Qytetarët shprehin shqetësimin e tyre duke thënë se kjo do të nënkuptonte më pak. Ndërsa theksohet se pensionet nuk po mjaftojnë as për ushqime, pa llogaritur mjekimet dhe faturat e energjisë.

Aktualisht Korporata Energjetike e Kosovës - KEK ka propozuar rritjen e çmimit të energjisë së prodhuar, vendim që e ka konfirmuar për Radio Evropa e Lirë.  Por për tarifat që duhet t’i paguajnë qytetarët vendos Zyra e Rregullatorit të Energjisë - ZRRE deri më 1 prill.

Dy termocentralet e KEK, Kosova A dhe Kosova B, prodhojnë sasinë më të madhe të energjisë, të nevojshme për plotësimin e nevojave në vend. Kjo energji më pas i shitet KESCO-s, kompanisë përgjegjëse për furnizim dhe arkëtim. Në deklaratën me shkrim dhënë REL-it, KEK-u tha se marrëveshja e fundit mes tij dhe KESCO-s ka qenë e lidhur për periudhën “1 prill 2023 deri më 31 mars 2024”.

KEK-u tha se kërkesa është që çmimi të rritet nga 29.50 euro sa kushton aktualisht një megavat në orë, në 31.50 euro. KEK-u, po ashtu, nuk tregoi se përse ka kërkuar rritjen e çmimit. Por, në komentet që ia ka dërguar ZRRE-së, korporata arsyeton vendimin me rritjen e kostos së prodhimit dhe të inflacionit. Për këtë thuhet se ka inkurajuar ZRRE-në që në të hyrat e KESCO-s të përfshihet edhe kostoja e blerjes së energjisë nga KEK-u.

ZRRE-ja bën shqyrtimin dhe caktimin e përvitshëm të tarifave, të cilat shpallen çdo 1 prill. Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për atë që shpenzojnë më shumë. Sipas analistëve, nëse rritet çmimi i energjisë, disa biznese prodhuese edhe mund të mbyllen dhe kompanitë tjera do rrisin çmimet.

Qeveria e Kosovës ka ndarë në disa raste subvencione. Në një periudhë, ajo i ka subvencionuar konsumatorët që kanë kursyer së paku 5 % të rrymës në muaj, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit paraprak. Këta konsumatorë kanë përfituar dyfishin e përqindjes së kursyer.

Dorina Kurtaj / SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat