Shqipëria Postuar më 30 Nëntor 2023, 14:33

Rekord kursimesh, eurot “lumë” edhe në vjeshtë - Depozitat, 7,2 mld lekë në tetor. Ato në lekë, me rritje anemike. Valuta shtohet 16.9%

Nga SCAN TV

Flukset e eurove nëpër bankat shqiptare janë shtuar edhe pas muajve të verës, duke sjellë për pasojë që depozitat bankare në vend të prekin një vlerë rekord prej mbi 7.2 miliardë euro në fund të tetorit. Krahasuar me tetorin e vitit të shkuar, ato rezultojnë me një rritje prej 16.9%, ose 1 miliardë euro më shumë. Për tremujorin e tretë të vitit ato kishin shënuar një rritje vjetore prej 15.5%, si pasojë e flukseve të larta hyrëse valutore gjatë sezonit turistik.

Të dhënat vijnë përmes bankës së Shqipërisë, e cila sapo ka publikuar treguesit e depozitave në sistemin bankar. Shtimi i fortë i depozitave në euro ko kompensuar edhe rritjen e dobët të kursimeve në lekë. Ato kanë pasur tjetër sjellje përgjatë këtij viti, madje duke shënuar rënie gjatë muajit gusht.

Gjithësesi, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, depozitat në monedhë kombëtare të përfshira në paranë e gjerë rezultojnë 547,5 miliardë lekë në fund të tetorit, nga 543.4 miliardë në shtator. Krahasuar me tetorin e vitit të shkuar, depozitat në lekë kanë shënuar një rritje mjaft modeste prej 0.47%.

Rritja e depozitave për muajin tetor vjen në një moment që bankat e nivelit të dytë kanë rritur normat e interesave, megjithëse me ritme të ngadalta. Në terma mesatarë, ato rezultuan 1.7% në tetor, nga 1.5% që ishin në gjysmën e parë të vitit.

Prej fillimit të rritjeve të normës bazë të interesit nga ana e Bankës së Shqipërisë, në prill të vitit të shkuar, interesi i depozitave është rritur me 1.2 pikë përqindje. Edhe interesat për depozitat me afat në euro kanë shënuar rritje të lehta këta muaj, duke arritur në 1.1%, nga 0.8% në tremujorin e tretë krahasuar me dy tremujorët e mëparshëm.

Lorenc Rabeta/SCAN

Sondazh

Poll

Live TV

Të fundit
Të gjitha lajmet

Më të vizituarat